Rreth 800 palestinezë mbahen të burgosur ‘ilegalisht’ nga Izraeli, thonë grupet e të drejtave të njeriut (fotot)

14/10/2022 18:37
Te burgosur palestineze ne Megiddo

Izraeli është duke mbajtur në burgim ose paraburgim pa akuza ose datë gjyqi rreth 800 palestinezë, duke përfshirë dhe shtatë të mitur, që është numri më i madh në 15 vitet e fundit, sipas grupit të monitorimit të të drejtave të njeriut të OKB, i cili thotë se praktika është e paligjshme dhe konsiderohet si “trajtim i rëndë e degradues”.

Grupi izraelit i të drejtave të njeriut HaMoked, i cili mbledh rregullisht të dhënat nga burgjet e vendit, tha për britaniken ‘The Independent’ se Izraeli po mban 798 palestinezë në “paraburgim adminsitrativ, që është shifra më e lartë që prej majit të vitit 2008.

Mes të burgosurve që mbahen pa afat e pa gjyq, janë dy gra dhe shtatë të mitur, më i riu 16 vjec, shtonte grupi.

Organizata palestineze Addameer, për të drejtat e të burgosurve, një prej aktivistëve të saj është në burgim adminsitrativ praj marsit, konfirmonte se shifrat janë dyfishuar vitin e fundit.

Ushtria izraelite tha për ‘The Independent’ se ‘burgimi administrativ’ përdoret kur autoritetet e sigurisë kanë informacione me bazë se i burgosuri përbën një rrezik për sigurinë e zonës, dhe “në mungesë të alternativave të tjera, e largon rrezikun” duke e mbajtur të arrestuar.

Por ‘burgosja administrative’ e përdorur nga Izraeli është dënuar si e paligjshme nga ekspertët e OKB dhe grupe të të drejtave të njeriut.

“Kjo sepse i ndaluari mund të mbahet për periudha të pacaktuara ka mandat arresti apo datë gjyqi, bazuar vetëm në prova që mbahen nga inteligjenca izraelite”, tha  Francesca Albanese, raportuese e veçantë e OKB për Palestinën.

Ajo shtoi se kjo metodë është përdorur dhe ndaj fëmijëve nganjëherë 12 vjeç, dhe shkel Konventën e Gjenevës dhe ligjin ndërkombëtar.

“Ata mund të të mbajnë në burgim administrativ ndoshta për të gjithë jetën, kjo krijon pasoja shumë të rënda psikologjike”, tha Albanese, duke shtuar se po punohet për ta klasifikuar masën si “torturë”.

“Kjo duket se po përdoret si parandalim ndaj kundërshtimit të pushtimit të tokave palestineze, dhe është shumë shqetësuese për fëmijët dhe studentët, aktivistët dhe figurat politike”.

Sipas Kombeve të Bashkuara, ligji ndërkombëtar lejon përdorimin e arrestimit administrativ pa shkak, në raste emergjence por jo pa gjyq.

Izrael ka pushtuar Bregun Perëndimor, Jeruzalemin lindor dhe Gazan gjatë luftës së vitit 1967, por palestinezët kërkojnë territoret për atë që shpresojnë se do të jetë shteti i tyre i pavarur.

FOTO GALERI
1/3
Palestineze duke mbajtur sot trupin e doktorit Abdullah al-Ahmad, i vrare sot ne kampin e Xhenin

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA