Grupi Parlamentar i PD-së dërgon në Gjykatën Kushtetuese VKM për legalizimin e shtesave pa leje të Kullave

14/10/2022 17:09

Grupi Parlamentar i PD ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese VKM-në për legalizimin e shtesave pa leje të kullave.

Deputeti Gazment Bardhi tha se depozitoi në ‘Kushtetuese’ kërkesën për shfuqizimin si antikushtetuese të vendimit të kryeministrit Edi Rama për marrjen në mbrojtje shtetërore të oligarkëve që kanë ndërtuar pa leje.

Sipas tyre, vendimi i qeverisë është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse cenon barazinë e shtetasve përpara ligjit, cenon hierarkinë e akteve normative dhe nuk është autorizuar nga ligji; është në kundërshtim me Kodin Penal, sepse i jep amnisti penale një kategorie personash, pa ligj të miratuar me 3/5 e votave në Kuvend dhe është në kundërshtim me ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.

Njoftim i Gazment Bardhit

Sot në emër të Grupit Parlamentar të PD depozitova në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin si antikushtetuese të vendimit të Edi Ramës për marrjen në mbrojtje shtetërore të oligarkëve që kanë ndërtuar pa leje në Kullat e pastrimit të parave të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Tiranë.

Vendimi i Qeverisë për të marrë në mbrojtje oligarkët e ndërtimit të Kullave pa leje në mes të Tiranës:
• Është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse cënon barazinë e shtetasve përpara ligjit, cënon hierarkinë e akteve normative dhe nuk është autorizuar nga ligji;
• Është në kundërshtim me Kodin Penal, sepse i jep amnisti penale një kategorie personash, pa ligj të miratuar me 3/5 e votave në Kuvend;
• Është në kundërshtim me ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.

Vendimi i Qeverisë provon që milonerët e Edi Ramës që kanë ndërtuar kulla pa leje në mes të Tiranës, janë të ndryshëm nga 3 milion shqiptarët e tjerë dhe veçanërisht janë të ndryshëm nga 3304 qytetarë që kanë shkuar në burg pse kanë rregulluar pa leje çatinë e shtëpisë së tyre.

Gjykata Kushtetuese ka shansin të na provojë se kushdo është i barabartë përpara ligjit. Oligarkët e Edi Ramës nuk janë mbi ligjin; nuk janë të paprekshëm.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel