“E duam pallatin aty ku ishte”, banorët e mbetur pa strehë nga tërmeti në Durrës protestojnë para bashkisë

14/10/2022 13:49

Strehimi i familjeve të prekura nga tërmeti në lagjen e re të Spitallës që pritet të përfundojë pranverën e ardhshme, vijon të shkaktojë shqetësim për shumë familje durrsake, pallatet e të cilave u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit.

Për të disatën herë, përfaqësues të një pallati të shembur dy vite më parë kanë protestuar para bashkisë, ndërsa nuk kanë mundur të takohen me kryetaren për shqetësimin e tyre.

“Jemi banorët e pallatit 32 dhe kemi ardhur disa herë po s’kemi marrë përgjigje nga bashkia për rindërtimin e pallatit aty ku ishte. Na thonë me paturpësi që ka dalë një urdhër nga qeveria që pallatet nuk do të ndërtohen aty ku ishin.”

Kam një djalë të sëmurë të paralizuar dhe atje s’mund të shkoj dot. E vetme jam. Burri më vdiq pas tërmetit. Spitalin e kam larg. Rri në Kavajë unë, prej andej vij dhe kryetarja s’na vjen.

“Duam kryetaren meqenëse është bërë mbledhja e këshillit bashkiak të na thotë a është lëvruar fondi dhe ku ka shkuar”.

“Kam ardhur nga Tirana, për t’u takuar me kryetaren, por na thanë që nuk është”.

Të dëmtuarit nga tërmeti që ende vijojnë të jetojnë me qira kërkojnë rindërtimin e pallateve në po të njëjtat vende ku ngriheshin më parë, si dhe shmangien e vonesave në dhënien e bonusit të qirasë.

Top Channel