Berisha: Rama gaboi, me fjalimin në Këshillin e Europës rëndoi pozitën e UÇK-së

14/10/2022 15:11

Qëndrimet e Edi Ramës në Këshillin e Europës për Kosovën nuk u duartrokitën nga opozita në Tiranë.

Sali Berisha akuzoi Kryeministrin se po ushtron presion ndaj institucioneve ndërkombëtare duke rënduar pozitat e ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë.

Edi Rama I futi thike pas shpine Kosovës. Ai po hedh valle në kurriz te atyre që janë në Hagë. Është Makbeth. Sepse nuk mbrohen ata duke akuzuar Këshillin e Kosovës, përkundrazi tregon se ti po kërkon që bësh presion mbi gjykatë nuk mund të shkosh ti në Këshillin e Europës dhe të bësh presion ndaj drejtësisë me Lindita Nikollën atje”, tha Berisha.

Kundërpërgjigja e Edi Ramës nuk vonoi.

“Rublat vazhdojnë të flasin mbrapsht në Tiranë, siç folën në 2011 përmes votës kundër Kosovës, e vetë Shqipërisë dhe PRO Rezolutës famëkeqe, që lemerisi botën me shkulësit e organeve shqiptarë! Opozita e rublave është e zhytur shumë më thellë se sa duket në thesin e parave ruse…”

Në kohë, u kthye pas edhe Berisha duke i kujtuar Ramës  qëndrimet e tij  ndaj Kosovës si lider opozite.

“Akti i një burracaku që kërkon të fshihet pas hijes së vet. Edi Rama ka qenë kryetar i  PS-së kur deputetët e tij në parlament kanë votuar ligjin për hetimin ndërkombëtar të këtyre krimeve në territorin e Shqipërisë”. 

Berisha u shpreh i keqardhur ndaj autoriteteve që e përshëndetën në Kosovë.

“Më vjen keq për ata që merren me folklorim politik. Ndaloni fushatën e tij politike se është e dëmshme, fushata e parë çoi në arrestimin e Thaçit në avion, fushata e dytë mund të na rrokullisë edhe më shumë”.

Për Berishën, nëse Rama donte të ndihmonte Kosovën, atëherë ai duhet të  ndërmerrte veprime konkrete dhe të propozonte një rezolutë për të hedhur  poshtë akuzat e pretenduara për transplant organesh në Fush Krujë dhe Mat.

Top Channel