SHBA “mesazh” Rusisë: Do mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s

13/10/2022 14:43

Përmes një deklarate të bërë përpara nisjes së takimit të 30 ministrave të Mbrojtjes së NATO-s, shefi i Pentagonit, Lloyd Austin i dërgoi tërthorazi një mesazh Rusisë, duke i kujtuar se Amerika do të ndërhyjë menjëherë sikur të preket qoftë edhe një centimetër toke i aleancës.

“Ne përkushtimin tonë e kemi bërë të qartë: Do të mbrojmë çdo centimetër territor të NATO-s, nëse vjen puna deri aty”, tha ai.

Deklarata e fortë e sekretarit amerikan të mbrojtjes vjen në kohën kur ministrat pritet të mbajnë diskutime të mbyllura lidhur me planin bërthamor të aleancës, si dhe në mesin e kërcënimeve të maskuara të presidentit rus, Vladimir Putin, për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore. NATO nuk ka dhënë detaje mbi diskutime nukleare. Por në margjinat e takimit në Bruksel një grup prej 13 anëtarësh të saj dhe Finlanda – që është në proces anëtarësimi- firmosën një marrëveshje për blerjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore, si Arrow 3 dhe Patriot.

Një sërë vendesh të NATO-s po kërkojnë që të forcojnë sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore, në dritë e agresionit rus, ndërsa disa të tjera po zëvendësojnë apo përditësojnë sistemet aktuale, teksa vazhdojnë në të njëjtën kohë që të dërgojnë armatime në Ukrainë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA