SPAK kërkon 15 vite burg për iranianin e arrestuar për terrorizëm, vepronte si i infiltruar mes muxhahedinëve në Manëz

12/10/2022 10:38

15 vite burg kërkoi Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion për Bijan Poladrag, iranianin e dyshuar për terrorizëm në vendin tonë.

Poladrag dyshohet se mblidhte informacion ndaj anëtareve të MEK, kjo e faktuar sipas organit të akuzës nga materiale e foto që i janë gjetur në celular, raporton gazetarja Anila Hoxha.

Hoxha sqaroi se pavarësisht se Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 15 vite burgim, nëse do të shpallet fajtor nga gjykata, Poladrag do të vuajë 10 vite heqje lirie, për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Bijan Polagrad akuzohet për një sërë veprash penale si organizatë terroriste, sulme ndaj sistemit kompjuterik, ndërhyrje në të dhëna kompjuterike të paautorizuara etj.

Ai dyshohet se ka qenë pjesë e anëtarëve të muxhahedinëve dhe ka qenë banor i kampit në Manëz. Polagrad vepronte si i infiltruar mes muxhahedinëve të strehuar në Shqipëri dhe ndërkohë dyshohet se po planifikonte sulmin terrorist.

Top Channel