Publikimi i të dhënave/ Komisioneri për të Drejtën e Informimit: Është cenuar e drejta kushtetuese për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve!

12/10/2022 14:51

Asnjë çështje për cenimin e mbrojtjes së të dhënave personale nuk ka përfunduar në gjykatë pas publikimit të tyre, sipas komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Në ditën e transparencës, Besnik Dervishi pranon se është cenuar e drejta kushtetuese për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve.

“Një cenim që nisi me listat e patronazhistëve për të vijuar me ato të pagave dhe targave e së fundmi me sulmet kibernetike që kanë nxjerrë në plan të parë domosdoshmërinë për nivele të tjera sigurie dhe një strategji mbrojtjeje që t’i përgjigjet zhvillimeve teknologjike, përfshirë dhe ashpërsimin e sanksioneve ndaj përgjegjësve”, thotë ai.

Në rastin e parë, atë të listës së patronazhistëve pranë komisionerit u paraqitën rreth 80 ankesa individuale, po që ishin jashtë objektit të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, për shkak të përmbajtjes politike, sqaron komisioneri. “Kjo për shkak të ndërgjegjësimit jo në nivelin e duhur të qytetarëve dhe asnjë çështje nuk ka shkuar në gjykatë në dijeninë tonë. E njëjta situatë dhe për rrjedhjen e të dhënave të pagave dhe targave të automjeteve, ku si në rastin e parë nuk ka jo vetëm çështje, po as ankesa”, thotë ai për Top Channel.

Në rrethanat e reja të krijuara nga rrjedhjet masive të të dhënave personale, koncepti i mbrojtjes së tyre duket se ka humbur, por komisioneri Dervishi shprehet se kjo është një nga të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, që pavarësisht situatës së krijuar duhet të rikuperohet dhe të mbrohet nga të gjithë, ndërsa hetimet po vijojnë. Aktualisht, komisioneri po vijon hetimet në lidhje me rrjedhjet e të dhënave të pagave dhe targave dhe pritet të dalë me rekomandime dhe masa konkrete në fund të këtij viti, për institucionet përgjegjëse:

”Roli i mbrojtjes së të dhënave personale nuk ka për të humbur kurrë për sa kohë është në kushtetutë. Natyrisht janë cenuar dhe në këtë këndvështrim dhe zyra e Komisionerit ka bërë atë që i takon. Kohët e fundit kjo ka ardhur dhe si rezultat i sulmeve kibernetike që shkon përtej kompetencave të zyrës së komisionerit. Unë nuk dua të insistoj në atë që është bërë batutë, që ndodhin kudo. Është shumë negative që ka ndodhur. Për herë të parë nisi të flitet për to. Kur ne flisnim dukej si diçka që ishte përtej realitetit tonë. Është e rëndësishme të kuptojmë se është pasuri e jona, ajo që kemi më të shtrenjtë, që nga emri etj. Nuk është vetëm detyrë e komisionerit po ne do të bëjmë rekomandimet ndaj institucioneve përgjegjëse për të marrë masat e për ta rikuperuar aq sa është e mundur këtë situatë. 

Nuk dua të dal me gjëra konkrete pasi mund të ketë vend për keqinterpretime, por me aktin përkatës, vendimin dhe rekomandimet e komisionerit do të jenë të qarta detyrat për çdo institucion për rikuperimin e kësaj situate dhe ajo që është më e rëndësishmja mbrojtja e kësaj të drejte kushtetuese.”

Top Channel