“Kosova është Europë”/ Deklarata shqip e deputetit ukrainas në Këshillin e Europës trazon rrjetin: Ta njohim sa më herët

12/10/2022 15:00

Anëtari i delegacionit të Ukrainës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Oleksii Goncharenko, habiti me deklaratën e tij në shqip se Kosova është pjesë e Evropës.

“Këtë dua ta them veçanërisht për Kosovën. Kosova duhet të njihet nga të gjitha vendet e Këshillit të Evropës ku 12 vende nuk e kanë njohur. Ju drejtohem, ju lutemi ta njihni këtë vend si shtet të pavarur siç luftuan ata për të ardhmen e tyre, për pavarësinë e tyre dhe duhet të ulen këtu së bashku me ne, të jenë pjesë e Këshillit të Evropës dhe vetëm kështu ne mund të bëhemi më të fortë. Të gjithë duhet ta bëjmë këtë, ta njohim Kosovën dhe së bashku të ecim përpara”, tha ai përballë të gjithë deputetëve të KE-së ditën e djeshme.

Në një lidhje direkte për “Shqipëria Live” deputeti i parlamentit ukrainas tregoi më shumë rreth deklaratës së tij, e cila bëri jehonë në mediat e huaja.

“Mendoja që ishte e rëndësishme pasi për herë të parë në Asamblenë Kombëtare foli një përfaqësues i Kosovës. Kosova duhet që ta njohim, e kam pasur këtë qëndrim edhe në parlamentin e Ukrainës”, u shpreh Goncharenko.

Një ndër arsyet më kryesore që Ukraina nuk e ka njohur pavarësinë e Ukrainës, sipas deputetit ka qenë frika e reagimit rus.

“Përpara nisjes së pushtimit mendonim se njohja e Kosovës do të nxiste Rusinë. Por tashmë nuk ka më vlerë, tashmë jemi sulmuar. Historia Kosovës ka të drejtat për të qenë vend i pavarur”.

“Ta njohim Kosovën sa më herët të jetë e mundur. Jam përpjekur të bind kolegët e mi në parlament. Jam i sigurt që ukrainasit do e njohin Kosovën”, shtoi më tej deputeti ukrainas.

Goncharenko deklaroi se Serbia është perandori e së keqes dhe se ka shfrytëzuar Serbinë për të ushtruar presion, ndërsa tashmë ka ardhur koha që të bëjë një zgjedhje.

“Rusia është vërtetë një perandori e së keqes, sigurisht për ata Ballkani Perëndimor ka dashur të shohë rrjedhje gjaku dhe ka shfrytëzuar Serbinë për të ushtruar presion në Kosovë. Serbia do të bëjë një zgjidhje nëse duan të jenë të lirë apo ti përkasin Rusisë. Serbia duhet të zgjedhë nëse do të hyjë në BE, nuk mund të ulesh në dy karrige në të njëjtën kohë”, u shpreh ai.

Pa deklaratës së bujshme Oleksii Goncharenko tregoi se ka marrë shumë urrejtje në rrjete sociale, por tashmë nuk ka më frikë.

“Kam marrë shumë urrejtje në rrjete sociale. Më kanë bërë atentate për të më vrarë dhe një herë për të më rrëmbyer. Nuk janë të gjithë me këtë lloj mentaliteti janë një pakicë e vogël e papërfillshme. Pas kësaj nuk kam më frikë”.

Ai ka qenë vetëm një herë në Kosovë dhe se është ftuar sërish, por kësaj radhe për të folur në parlamentin e Kosovës.

“Nuk kam lidhje me Kosovën kam qenë vetëm njëherë në 2008, por them se bota e lirë duhet të bashkohet. Nuk kam qenë as në Shqipëri dhe jam ftuar sërish në Kosovë për të folur në parlament. Gjithashtu e falenderoj Shqipërinë që ka mbështetur Ukrainën jeni një mik i vërtetë i popullit tonë”, deklaroi deputeti ukrainas.

Top Channel