Historia e dashurisë mes të rinjve u kthye në tragjedi me tre të vdekur! Klos, 17-vjeçari ishte në lidhje me vajzën e autorit

12/10/2022 16:05

Një histori dashurie mes dy adoleshentëve u bë shkak i tragjedisë së ndodhur ditën e sotme në Klos.

17-vjeçari Kenad Shira që mbeti i vdekur, ishte dashuruar me vajzën 16-vjeçare të autorit të ngjarjes, Fiqiri Mjeshtri.

Në informacionet e siguruara nga gazetarja e “Top Channel”, Dorjana Bezat ishte familja Mjeshtri që kundërshtonte këtë lidhje mes të rinjve dhe shkuan në një lokal në qendër të Klosit për t’u sqaruar.

Fiqiriu kishte marrë me vete dhe dy vëllezërit, Besnik Mjeshtrin, i cili ishte polic bashkiak dhe Fatmir Mjeshtrin.

Ndërsa 17-vjeçari kishte marrë të atin dhe dy të afërmit e tyre për t’u sqaruar me familjen e vajzës.

Sherri mes tyre degradoi në përdorimin e armëve. Të vdekur mbetën babë e bir të familjes Shira.

Lidhur me ngjarjen policia tha se autori, Fiqiri Mjeshtri është vetëvrarë, ndërsa janë arrestuar Fatmir dhe Besnik Mjeshtri.

Ngjarja e rëndë ndodhi pranë një lokali në qendër të Klosit, duke shkaktuar panik mes banorëve të pranishëm.

Renato Hasula dhe Eglant Hasula të cilët kanë lidhje shoqërore me autorin, dyshohet se janë plagosur pasi ai ka humbur kontrollin e armës.

Viktimat

Ilir Shira, 44 vjeç
Kenad Shira, 17 vjeç
Fiqiri Mjeshtri, autori i vetëvrarë

Të plagosur (Babë e bir)
Eglant Hasula, 39 vjeç
Renato Hasula, 14 vjeç

Të arrestuar (Vëllezër)
Fatmir Mjeshtri, 44 vjeç
Besnik Mjeshtri.

Klos/Informacion paraprak

Në qytetin e Klosit, dyshohet se shtetasi F. M., 39 vjeç, në bashkëpunim me dy vëllezërit e tij, ka vrarë me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin K. Sh., 17 vjeç, si dhe kanë plagosur shtetasit I. Sh., 46 vjeç (babai i 17-vjeçarit), R. H., 14 vjeç dhe E. H., 39 vjeç (babë e bir).

Të tre të plagosurit janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore. Si pasojë e plagëve të marra, shtetasi I. Sh. ka humbur jetën në spital.

Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit kanë rrethuar zonën, kanë bllokuar hyrje-daljet e qytetit të Klosit dhe kanë ushtruar kontrolle në banesa, lokale dhe në ambiente të tjera.

Gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë kapën dhe shoqëruan në ambientet e Policisë, shtetasin F. M., 44 vjeç dhe vëllanë e tij, shtetasin B. M., bashkëpunëtorë në këtë ngjarje.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë kanë gjetur të pajetë, dyshohet të vetëvrarë, autorin kryesor të kësaj ngjarjeje, shtetasin F. M., 39 vjeç.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, vijon punën për sqarimin dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

FOTO GALERI
1/11
Pamje nga vendngjarja

Top Channel