​Varhelyi: Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi urgjente, palët të jenë konstruktive

12/10/2022 18:27

Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka thënë se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është urgjente.

Vetëm në këtë formë, sipas tij iu mundësohet dy shteteve të avancojnë në rrugët e tyre drejt BE-së, derisa kërkoi konstruktivitet nga dy palët.

Në konferencën për medie, pasi u publikuan raportet vjetore për vendet e Ballkanit Perëndimor, Varhelyi, ritheksoi mbështetjen e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Varhelyi: Kosova ka gëzuar stabilitet politik gjatë gjithë vitit, dhe autoritetet vazhdojnë të demonstrojnë përkushtimin e tyre në rrugën evropiane. Gjatë periudhës raportuese, Kosova ka bërë përpjekje për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe ka intensifikuar luftën kundër korrupsionit. Sa i përket liberalizimit të vizave, komisioni qëndron prapa vlerësimit të korrikut të vitit 2018, se Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet. Propozimi është ende në pritje në këshill, siç e dini, dhe ne mirëpresim që diskutimet janë gati të rifillojnë. Ne po mbështesim diskutimet me përditësimin teknik të vlerësimit tonë. Marrëveshja e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë është urgjente dhe vendimtare për t’i mundësuar Kosovës dhe Serbisë të avancojnë në rrugët e tyre përkatëse drejt BE-së. Sigurisht që ne po e mbështesim këtë proces, por ne kemi nevojë për angazhim të plotë si nga Beogradi ashtu edhe nga Prishtina në mënyrë konstruktive, që ky dialog të jetë i suksesshëm”, tha ai.

Komisioneri për zgjerim, po ashtu kërkoi nga Serbia që të shtojë përpjekjet e saj në përafrim të pozicioneve me BE-në në politikën e jashtë, sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë.

Varhelyi: Serbia duhet të shtojë përpjekjet e saj në përafrimin me pozicionet e BE-së në politikën e jashtme. Në kontekstin aktual gjeopolitik është gjithashtu e qartë se Serbia duhet të shtojë përpjekjet e saj në përafrimin me pozicionet e BE-së në politikën e jashtme, duke përfshirë deklaratat dhe sanksionet në përputhje me kornizën negociuese… Nuk thashë se janë pezulluar, jo, nuk do të ishte e drejtë të them, përkundrazi, reformat po avancojnë dhe kështu negociatat e anëtarësimit, nuk janë pezulluar, por nëse Serbia do të donte për të përshpejtuar anëtarësimin e saj, sigurisht që do të ishte adresimi i çështjes së përafrimit të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP), sepse kjo mund të krijojë një atmosferë mjaft pozitive në anën e shteteve anëtare për të përshpejtuar ritmin e negociatave”, tha ai.

Komisioni Evropian sot publikoi raportin vjetor për Kosovën dhe vendet të tjera të bashkimit Evropian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA