Rrjeti britanik Daily Mail shkruante sot se presidenti amerikan Joe Biden “e dinte për shthurrjen e drogave të të birit Hunter”, dhe se ai kishte gënjyer në aplikimet zyrtare për varësinë ndaj tyre.
Zhvillimi duket në një mesazh zëri për të birin ku presidenti Biden i lutet Hunter të kërkojë ndihmë.
“Jam unë babai. Të dua shumë por duhet të kërkosh ndihmë, unë e di që ti ke probleme”, shkruan Biden në një mesazh të tetorit 2018, siç zbulohet nga të dhënat e laptop-it të humbur të të birit, të dhënat skandaloze të të cilit qarkullojnë prej kohësh në media.
Por në 12 tetor 2018 Hunter Biden bleu një pistoletë kalibër 38 në një dyqan në Delaware dhe dy javë më vonë e dashura e tij, gjithashtu e veja e të vëllait Hallie Biden, e gjeti pistoletën dhe e flaku në një kosh mbeturinash.
Zbulimi i saj nisi hetimet e policisë.
Incidenti është një nga krimet federale për të cilat ka prova për inkriminimin e djalit të presidentit, shkruan Washington Post.
Email-e, mesazhe teksti e fotografi të publikuara më parë nga mediat janë prova konkrete për një gjyq kundër Hunter Biden për evazion fiskal dhe deklaratë të rreme në blerjen e armës.
FBI beson se ka prova të mjaftueshme se Hunter Biden nuk ka deklaruar të ardhurat e tij nga bizneset e huaja.
Policia thotë për mediat në SHBA se ka pasur prej kohësh prova për ndjekjen penale te birit të presidentit por kjo varet tashmë nga prokurorët federalë.
Të gënjesh në formularin e blerjes së armëve është një krim në SHBA dhe mund të dënohet deri me 10 vjet burg ose gjobë $250,000.
Pistoleta e papërdorur ishte gjetur nga e dashura e tij, e veja e të vëllait Hallie Biden, e cila e kishte flakur në një vend mbeturinash, ku ishte gjetur nga një i pastrehë që njoftoi policinë.
Hunter kishte debatuar me Hallie për incidentin në disa mesazhe të panikosura në ditët në vijim.
Ai shkruante: “Kanë ardhur nga FBI, Hallie. Ata nuk janë aq budallenj, ku është gabimi im që thua ti? Pistoleta ime ishte e mbyllur në makinë”.
Hallie përgjigjej: “Makina ishte e hapur dhe me xhama të ulur, kisha frikë se do ta përdorje, kam frikë për jetën tënde”.
Megjithse asokohe familja Biden nuk kishte mbrojtje zyrtare nga ‘Secret Service’ zyrtarë kishin shkuar në dyqanin e armëve të Ron Palmieri, dhe i kërkuan të dorëzojë dokumentet e blerjes.
Të tjera informacione nga laptopi i humbur i Hunter Biden pritet të dalin së shpejti në mediat amerikane.
Top Channel