48 organizata të shoqërisë civile dhe përfaqësues të institucioneve kërkimore-mësimore të vendit, me anë të një letre të hapur dërguar Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura kundërshtuan procesin, i cili u zhvillua pa transparencë, i gjithë procesi u parapri nga mangësi të theksuara, të cilat cënuan vendimmarrjen.
“Jemi kundër kufijve sepse ato kanë rrjedhur nga një proces i paligjshëm dhe jashtë standardeve për ruajtjen e biodiversitetit. Ne nuk jemi kundër kufijve në tërësi dhe parimisht sepse zonat e mbrojtura duhet të kenë kufi, por kufijtë aktual i kundërshtojmë sepse nuk kanë argumentim shkencor, nuk kanë argumentim vlerash”, u shpreh Ermelinda Mahmutaj, biologe.
Nga ana tjetër Agjencia Kombëtare e Mjedisit thotë se kjo ndërhyrje u ndërmor pasi zonat e mbrojtura ekzistuese kishin mungesë të theksuar informacioni dhe paqartësi për rëndësinë e vlerave për të cilën kishin marrë statusin. Sa i përket zonave bregdetare, kjo Agjenci pretendon se nuk ishte reflektuar ndryshimi i vijës bregdetare si nga erozioni ashtu edhe nga akumulimi.
Një tjetër justifikim ishte se në disa raste rrjeti ishte zgjeruar pa argumentet e duhura ekologjik, apo pa ndonjë vendimmarrje të duhur. Thuhej se zonat nuk kanë kufijtë të saktë, janë shpallur me vendime të vagullta dhe kërkohej një rishikim me baza moderne, shkencore për rrjetin e zonave të mbrojtura.
“Qëllim fisnik, por u keqpërdor. Procesi në vetvete dhe rezultate që dha ky proces treguan për diçka komplet tjetër” u shpreh Aleksandër Trajçe, ekspert Biodiversiteti /PPNEA
Përgjatë këtij procesi delikat, që prek thuajse të gjitha bashkitë e vendit ata janë përjashtuar. Rishikimi i kufinjve të zonave të mbrojtura ka ndodhur pa marrjen e mendimit të tyre. Ligji kërkon që duke qenë se pushteti vendor ka lidhje dhe ndikon drejtëpërdrejt në jetësën e banorëve të këtyra zonave të merret mendim. Sipas ligjit kjo duhet të realizohet nëpërmjet një procesi të hapur dhe transparent.
Top Channel