“Fati” i këtij gjiri duket se është parashkruar edhe për të gjithë zonën bregdetare që më parë bënte pjesë në parkun Kombëtar të Butrintit.

Butrinti, një mikrokozmos i historisë së Mesdheut, u shpall Monument Kulture në vitin 1948; më 1999 u regjistrua në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s; më 2003 kompleksi ligatinor, përfshirë dhe pjesën e lagunës dhe zonën bregdetare të Butrintit-Kepin e Stillos-u shpallën Zonë Ramsar dhe Park Kombëtar. Siti i Butrintit në jug të Shqipërisë përfshin një diversitet natyror, gjysmë natyror dhe habitate artificiale që strehon një diversitet të madh kafshësh dhe bimësh, me rëndësi kombëtare dhe globale. Kjo gjë që e bën Butrintin një nga zonat më të rëndësishme për biodiversitetin në Shqipëri. Megjithatë këto të drejta që ai gëzon nuk e mbrojtën dot nga rrudhja e kufijve.

“Është më tepër precedenti që hapet, ku mesazhi që jepet që zona e mbrojtur është një sipërfaqe fluide, e lëvizshme, që çfarëdo interesi të ketë çdo qeveri që do të vijë nesër ose pasneser mund ta ndryshojë sipas interesit momental që ka”, u shpreh Aleksandër Traçja, Ekspert Biodiversiteti, PPNEA.

Referuar hartave të reja të miratuara, ky park ka pësuar edhe goditjen më të rëndë, duke i hequr rreth 800 ha përgjatë vijës bregdetare. Ai gëzonte statusin e zonës së mbrojtur në kategorinë “B”, që prej vitit 2005 dhe nuk lejoheshin zhvillime ndërtimore intensive.

Gjiri i hartës, Plazhi i bukur i Pasqyrave, Pulëbardhat tashmë kanë dalë nga zona e mbrojtur.
Siç e shikoni edhe nga kjo hartë, zonat me të kuqe, ku përfshihet Ksamili, Manastiri, një sipërfaqe në fshatrat Dritas, Vurg i Ri si dhe fshatrat e njohur Vrinë e Xarë janë hequr nga Parku Kombëtar i Butrintit.

Kjo cenon rëndë vlerat e tij dhe i hap dritën jeshile ndërtimeve të betonit dhe infrastrukturës. E konsideruar zonë me vlera të veçanta dhe që mban statusin Emerald, nga kjo prekje që I është rrezikojmë ta humbasim parkun e Butrintit.

“Zona e Butrintit po vihet nën darën e zhvillimit. Nuk mundet që Butrinti të garantojë cilësinë e vet nëse ne i dëmtojmë ujëkëmbimin me detin”, u shpreh Ferdinand Bego, Pedagog/Shkencat e Natyrës

Projekti i Gjirit të Manastirit nuk është i vetmi që kërcënojnë dhe zhvillohen në zonat e mbrojtura. Nga dhjetra projekte të miratuara nën mbrojtjen e ligjit për investimet strategjike në turizëm, 5 prej tyre cenojnë zonat e mbrojtura.

Top Channel