Ushtria izraelite qëllon për vdekje 12-vjeçarin palestinez (fotot)

10/10/2022 19:13

Një fëmijë palestinez ka vdekur sot i qëlluar nga ushtarë izraelitë gjatë një operacioni ushtarak në një kamp refugjatësh në tokat e pushtuara të Bregut Perëndimor.

Ministria palestineze e shëndetësisë tha se djali që vdiq sot ishte qëlluar në bark të shtunën nga ushtarë izraelitë, gjatë një bastisjeje të ushtrisë në Xhenin.

12 vjeçari Mahmoud Samoudi u vra kur ushtarët hynë në kampin e refugjatëve dhe rrethuan një shtëpi.

Autoritetet palestineze thanë se gjithashtu të shtunën u vranë dy adoleshentë, një 16 e një 18 vjeç, ndërsa 11 njerëz u plagosën.

Izraeli javët e fundit ka përshkallëzuar dhunën gjatë aksioneve në territoret e pushtuara palestineze. Me më shumë se 100 të vrarë, viti 2022 po bëhet viti më i përgjakshëm që prej 2015.

Mes të vrarëve sivjet ishte dhe gazetarja veterane Shireen Abu Akleh e qëlluar për vdekje në maj gjatë një operacioni në Xhenin.

Ndërkohë qindra njerëz janë arrestuar gjatë operacioneve, për të cilat Izraeli thotë se nevojiten për çmontimin e rrjeteve militante, por palestinezët thonë se kërkojnë të forcojnë pushtimin 55 vjecar të jashtëligjshëm të territoreve.

FOTO GALERI
2/4
Izraeli javët e fundit ka përshkallëzuar dhunën gjatë aksioneve në territoret e pushtuara palestineze.

Top Channel