Dhjetra të vdekur nga përmbytjet e papritura e rrëshkitja e dheut në Venezuelë (fotot)

10/10/2022 17:55

Të paktën 25 njerëz janë vrarë dhe rreth 50 besohen të humbur pas një stuhie të papritur gjigante reshjesh dhe rrëshkitje dheu, në qytezën venezuelane të Las Tejerías.

Rreth 1,000 punonjës shpëtimi po marrin pjesë në operacionet e ndihmës.

“Po përpiqemi të shpëtojmë kë të mundim dhe i shprehim ngushëllimet atyre që kanë humbur njerëzit në këtë katastrofë,” tha zëvendës presidentja Delcy Rodríguez.

Shirat masivë tropikalë bënë që lumi El Pato të dilte nga shtrati i tij teksa ujërat morën përpara pemë, makina, e shtëpi, në qytezën 50km në jugperëndim të kryeqytetit Karacas.

Në muret e shtëpive shenjat e baltës së trashë tregonin se sa shumë ishte ngritur niveli ujerave.

Një burrë tha për rrjetin AFP se kishte mbijetuar duke u mbajtur për 40 minuta në një shtyllë. “Lumi më mori dhe nuk mund të gjeja gjë tjetër ku të mbahesha”, tha 65-vjeçari.

Rezidentët gërmonin baltën me duar në kërkim të të mbijetuarve, të cilëve me pas iu bashkuan dhe grupe të specializuara me qen.

Ministri i brendshëm Remigio Ceballos tha se rrëshkitja e dheut ishte shkaktuar nga urragani  Julia, që ka kaluar në veri të vendit, duke lëshuar në një ditë reshjet e shiut që normalisht binin për një muaj.

FOTO GALERI
1/3
Në muret e shtëpive shenjat e baltës së trashë tregonin se sa shumë ishte ngritur niveli ujerave.

Top Channel