Në deklaratën për mediat nga selia e PD, Sali Berisha u ndal edhe në 50 vjetorin e themelimit të Akademisë së Shkencave.

Berisha akuzoi Ramën, se me fjalimin e sotëm vijon me falsifikimin e turpshëm të historisë. “I thur lavde Akademisë ku u elaboruan falsifikimet më monstruoze të historisë sonë kombëtare.”- u shpreh ndër të tjera Berisha.

“Sot, nomenklatura e shtetit monist, po kremton 50-vjetorin e Akademisë së Shkencave.
Sot, në këtë 50-vjetor, pasardhësi i nomenklaturës së vjetër, mbajti një fjalim, në të cilin vazhdoi falsifikimin e turpshëm të historisë. E vërteta më e hidhur është se akademia ishte një institucion i diktaturës, i falsifikimit të historisë, që mbante për filozofi kryesore, filozofinë marksist-komuniste.

Nga kjo akademi, që sot Rama i thur lavde, asaj dhe etërve të tij, u elaborua falsifikimet më monstruoze të historisë sonë kombëtare. Nga kjo akademi, u himnizuan antivlerat. Në veprat e saj spikati mashtrimi, në shumë prej tyre, spikati glorifikimi i të keqes dhe diktatorit.
Akademia është bashkëfajtore për tiraninë hiperkolektiviste që vendosi diktatori në Shqipëri. Tirani, e cila erdhi si rezultat i hiperkolektivizmit total. Unë po u kthej shqiptarëve një moment: në vitin 1989, kur Ramiz Alia paraqiti në plenum një variant të vetëadministrimit jugosllav dhe rikthimit të kecit dhe qengjit, takoj një profesore dhe i drejtoj një pyetje: ka syth nga tregu në fjalimet e Ramiz Alisë. ‘Doktor, më thotë, unë po mbroj tezën kundër ekonomisë së tregut,’ më thotë. Tezën ia drejtonte një sovjetik i damkosur i Akademisë së Shkencave.

Ata me mbështetjen e madhe që i jepnin proceseve ose hiperkolektivizmit dhe deformimit të historisë, ata luajtën një rol negativ të dorës së parë. Sot është koha jo të lavdërohen, por të denoncohen me të madhe si akte ndër më të rëndat ndaj shqiptarëve.” u shpreh Berisha.

Top Channel