Veliaj pret kryetarin e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi: Mund të mësojmë shumë nga njëri-tjetri, bashkëpunim në fushën e bujqësisë

09/10/2022 12:52

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj priti në takim kreun e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

Ata diskutuan për bashkëpunime në projekte që i përkasin fushës së bujqësisë, si dhe për të mësuar nga eksperiencat e mira mes qyteteve. Veliaj i dhuroi Latifit “Kullën e Sahatit” të Tiranës.

“Një qytet i madh duhet të jetë modest. Kur shikon një mik, një vëlla që po e bën mirë një punë mirë, duhet të mësojë prej tij. Ajo që ne mund të mësojmë prej jush është si të punojmë në fushën e bujqësisë. Kemi filluar me disa përpjekje shumë dinjitoze, por besoj fort se disa nga rrethinat e Tiranës mund ta përdorin si shembull atë që po ndodh në Rahovec – me vreshtarinë dhe përpunimin e rrushit, duke u kthyer në epiqendër të shumë produkteve të Kosovës – tregon se si një qytet mund të jetojë duke investuar te bujqësia. Eventet, aktivitetet në qendër të qytetit janë të nevojshme, por ne jemi bekuar nga Perëndia edhe me një tokë pjellore, me kodra të bukura, male, me zona ku njerëzit jetojnë në mënyrë të ndershme, në harmoni me natyrën, duke punuar në zona si Lundra, Farka dhe lugina e lumit Erzen, që janë toka jashtëzakonisht pjellore. Dua shumë të mësojmë prej jush dhe besoj se disa arritje tuajat mund të bëhen edhe arritjet tona, sepse parimi është: Suksesi ynë është edhe i juaji dhe anasjelltas”, tha Veliaj.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi falenderoi kryebashkiakun Veliaj për mikpritjen dhe tha se është i lumtur për bashkëpunimin mes dy qyteteve, sa i përket fushës së bujqësisë.

“Është lajm jashtëzakonisht i mirë që jemi pjesë e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon. Jam shumë i nderuar të jem këtu. Ne vijmë shpesh në Tiranë, jemi përpjekur të bëjmë punë të mira dhe tashmë, bashkë me kryetarin e Bashkisë, kemi çfarë japim, kemi shumë çka i marrim Tiranës, në mënyrë që Kosova evropiane, Shqipëria evropiane, shqiptarët evropianë, të kenë mundësi që përmes këtij bashkëpunimi të mirëfilltë, të zhvillojnë edhe projekte të përbashkëta, të cilat na bëjnë krenarë të gjithëve”, tha Latifi.

Kryebashkiaku Veliaj shtoi se Tirana do të bëjë më shumë për të promovuar Rahovecin.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA