Linja ajrore Air France dhe prodhuesi i avionëve Airbus do të paraqiten në gjyq të hënën në Paris.
Kompanitë franceze do të përballen me akuzën e “vrasjes së pavullnetshme” mbi përplasjen e avionit të linjës që fluturonte nga Brazili në 2009-ën dhe ku 228 pjesëtarë mbi bord mbetën të vdekur.
Çështja fokusohet në mangësitë mbi trajnimin e pilotëve dhe një defekt në sensorin gjurmues të shpejtësisë, i cili më pas u zëvendësua në mënyrë të menjëhershme në avionët anembanë botës.
Fluturimi AF 447 nga Rio de Zhaneiro në Paris u përplas në Oqeanin Atlantik gjatë një stuhie në orët e para të 1 qershorit 2009, pasi u përball me turbulenca të forta. Ishte përplasja më vdekjeprurëse e Air France në histori.
Disa nga familjet e viktimës kanë thënë se çështja gjyqësore është “drita në fund të një tuneli të gjatë”. Air France dhe Airbus u akuzuan gjatë hetimit për përplasjen, me ekspertët që përcaktuan se ishte rezultat i gabimeve të bëra nga pilotët pasi ata u çorientuan nga një humbje e përkohshme e të dhënave nga sensorët e ngrirë.
Të dyja kompanitë kanë mohuar çdo neglizhencë penale dhe hetuesit që mbikëqyrnin çështjen i tërhoqën akuzat në vitin 2019, duke e vendosur fajin mbi gabimet e pilotëve.
Ky vendim zemëroi familjet e viktimave. Në vitin 2021, një gjykatë apeli në Paris vendosi se kishte prova të mjaftueshme për të lejuar zhvillimin e një gjyqi.
Rrëzimi i AF447 shkaktoi një rishikim të gjerë rreth trajnimit dhe teknologjisë dhe shihet si një nga aksidentet që ndryshuan aviacionin.
Top Channel