Ndotje nga vaji i lulediellit në Detin e Zi pas sulmeve ruse në Odessa
Demonstratat antiqeveritare shpërthyen të shtunën në disa vende anembanë Iranit, ndërsa protestat më të qëndrueshme në vite kundër një teokracie të rrënjosur thellë hynë në javën e tyre të katërt. Të paktën dy persona u vranë.
Protestuesit bënin thirrje kundër qeverisë dhe rrotulluan shamitë e kokës në kundërshtim të kodeve të detyrueshme fetare të veshjes. Në disa zona, tregtarët mbyllën dyqanet në përgjigje të thirrjes së aktivistëve për grevë ose për të mbrojtur mallrat e tyre nga dëmtimi.
Protestat filluan më 17 shtator, pas varrimit të 22-vjeçares Mahsa Amini, një vajze kurde e cila kishte vdekur ndërsa mbahej në paraburgim nga policia e moralit. Ajo ishte arrestuar për një shkelje të dyshuar të kodeve të rrepta islame të veshjes për gratë. Që atëherë, protestat u përhapën në të gjithë vendin dhe u pritën me ashpërsi nga autoritetet. Vlerësohet se dhjetëra persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë arrestuar.
Në qytetin Sanandaj në rajonin verior me shumicë kurde, një person u qëllua për vdekje të shtunën teksa po udhëtonte me makinë në një rrugë kryesore, thanë monitoruesit e të drejtave të njeriut. Rrjeti i të Drejtave të Njeriut të Kurdistanit me seli në Francë dhe Organizata Hengaw për të Drejtat e Njeriut, thanë se personi u qëllua pasi i ra borisë ndërsa forcat e sigurisë ishin të dislokuara nëpër rrugë. Rënia e borive është bërë një nga mënyrat se si aktivistët kanë shprehur mosbindje civile. Videoja që qarkullon në internet tregon personin e vrarë mbi timon, ndërsa dëshmitarët e shqetësuar bërtisnin për ndihmë.
Agjencia gjysmë-zyrtare e lajmeve Fars, që besohet se mbështet forcën elitare paraushtarake Gardën Revolucionare Islamike, tha se shefi i policisë së Kurdistanit hodhi poshtë njoftimet për përdorimin e drejtpërdrejtë të armëve kundër protestuesve.
Agjencia Fars pretendoi se njerëzit në rrugën Pasdaran, të qytetit Sanandaj, thanë se viktima u qëllua nga brenda makinës, pa dhënë detaje të mëtejshme. Por fotot e të vdekurit tregojnë se ai është qëlluar nga ana e majtë, që do të thotë se ka të ngjarë të mos jetë qëlluar nga brenda makinës. Gjaku mund të shihet që rrjedh nga brenda derës në anën e shoferit.
Një protestues i dytë u vra pasi forcat e sigurisë qëlluan me armë për të shpërndarë turmat në qytet dhe 10 protestues u plagosën, thanë monitoruesit e të drejtave të njeriut.
Një grevë e përgjithshme u pa në rrugët kryesore të qytetit mes një pranie të madhe sigurie dhe protestuesit dogjën goma në disa zona. Patrullat kanë penguar grumbullimet masive në Sanandaj, por protestat e izoluara kanë vazhduar në lagjet me popullsi të dendur të qytetit.
Demonstrata u raportuan gjithashtu në kryeqytetin Teheran të shtunën, përfshirë grumbullime më të vogla pranë Universitetit të Teknologjisë Sharif, një nga qendrat kryesore të arsimit në Iran dhe skena e një shtypjeje të dhunshme nga qeveria fundjavën e kaluar. Autoritetet kanë mbyllur kampusin deri në një njoftim të dytë./VOA
Top Channel