Britania arreston 7 shqiptarë të grupeve të trafikut ilegal detar nga Spanja (fotot)

08/10/2022 16:03

Agjencia Kombëtare Britanike e Krimit njoftonte sot se një “bandë e krimit të organizuar shqiptar” është çmontuar, të cilët trafikonin njerëz ilegalisht drejt Britanisë.

Autoritetet thonin se prej vitit 2014, rrjeti kishte trafikuar drejt Britanisë emigrantë kryesisht shqiptarë, përfshi dhe minorenë, duke lundruar prej qyteteve veriore spanjolle të Bilbao e Santander.

Emigrantët ilegalë transportoheshin më pas drejt Portsmouth, Southampton e Liverpool të fshehur në kamionë, tragete apo anije tregtare, në kushte të rrezikshme për jetën.

Agjencia tha se nga e hëna deri të mërkurën kishte kryer disa aksione që kishin sjellë arrestimin e shtatë personave të përfshirë në rrjet, dy prej të cilëve në Madrid dhe pesë në rajonin verior spanjoll Basque.

Mes të arrestuarve ishin dhe dy drejtues të organizatës, të cilët u ndaluan pak para se të merrnin fluturimin nga Madridi drejt Shqipërisë, njoftonte policia kombëtare e Spanjës.

Të shtatë ata do të ndiqen penalisht në gjykatat spanjolle.

Dje në Britani u ndalua një tjetër shqiptar i akuzuar për trafik të emigrantëve me barka nga ngushtica me Francën.

30 vjeçari i paemëruar ishte ndaluar në jugperëndim të Londrës.

Emigrantët e trafikuar raportohet se paguanin nga 3,000 deri në 15,000 euro për kalimin drejt Britanisë, ku përfshihej dhe ushqimi dhe akomodimi, sipas agjencisë britanike.

Kreu i agjencisë britanike Steve Reynolds tha: “Këta trafikantë vënë në rrezik jetën e njerëzve prandaj çmontimi i këtyre organizatave kriminale është një prioritet për ne dhe partnerët tanë.

“Në këtë rast ne u përballëm me një grup që i fshihte njerëzit në kamionë dhe mjete mallrash për kalimet e gjata nga Spanja drejt Britanisë”.

FOTO GALERI
1/5
I dyshuari duke u arrestuar kesaj jave ne Londer

Top Channel