Redon Xhixha nuk mjafton për Tiranën. Pasi i dha fitoren në derbi me një dopietë, sulmuesi i bardhebluve shënoi tre herë në portën e Laçit, duke marrë topin e ndeshjes në shtëpi, por nuk u dha dot tri pikët kryeqytetasve, që nuk shkuan dot përtej barazimit 3-3.
Ishte pikërisht kjo ndeshja me më shumë gola e këtij sezoni në Superiore, me kurbinasit që pas 5 humbjesh radhazi, shohin një rreze drite në fund të tunelit, duke marrë një pikë pikërisht në “Selman Stërmasi” ndaj kampionëve në fuqi.
Mentor Mazrekaj i hapi udhë goleadës, duke zhbllokuar sfidën në minutën e 22-të, por vetëm pak sekonda më pas, ishte Xhixha që shënoi golin e barazimit dhe në të 37-ën u dha avantazhin bardhebluve.
Borysiuk barazoi shifrat në pjesën e dytë, duke ekzekutuar saktë një penallti ,por në të 75-ën ishte sërish Xhixha që shënoi për Tiranën, duke shkuar në kuotën e 10 golave të shënuar në vetëm 6 javë kampionat.
Kur dukej se Tirana po shkonte drejt një tjetër fitoreje, ishte Mentor Mazrekaj që ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi nga një distancë e konsiderueshme dhe topi përfundoi në rrjetë, duke bërë që Laçi të largohej me një pikë mjaft të vlefshme nga kryeqyteti.
Sfida tjetër e zhvilluar këtë pasdite ishte ajo mes Erzenit dhe Egnatias në “Niko Dovana”, dy skuadra që po surprizojnë këtë fillim sezoni, por që nuk shkuan dot përtej barazimit pa gola, duke ndarë nga një pikë.
Top Channel