Në përfundim të mbledhjes së bordit të Entit Rregullator të Energjisë, deputetja demokrate Jordia Tabaku, u shpreh se kërkesa e saj në mbledhje ishte që vendimi për fashën 800kw/h të mos shtyhet por të revokohet dhe të mos rritet.

Ajo tha se ERE ka konceptin se është një drejtori në varësi të Ministrisë dhe jo një bord i pavarur, gjë e cila sipas saj është një fatkeqësi, pasi bordi ka si përgjegjësi që të mbrojë interesin publik.

“U bë për të më dhënë mua të drejtë, në bursa ra me 7% shpenzimet nuk u rritën, kërkova jo të shtyhet por të revokohet dhe mos të rritet, të gjithë anëtarët bënë debate që mund t’i kem unë me kolegët socialistë sepse po mbronin vendimin që u kishte dhënë qeveria. Ata kanë konceptin që janë një drejtori varësie e ministrisë, është fatkeqësi për një bord të pavarur të thonë që varemi nga qeveria. Ata kanë vetëm një detyrë të mbrojnë interesin publik. Unë i kam bërë thirrje qeverisë që duhet ta diversifikojë energjinë. Buxheti është duke mbajtur koston, nuk mundet që koston e keqmenaxhimti t’ja transferojnë familjeve shqiptare”, tha ajo.

Më herët ERE kishte parashikuar që duke filluar nga 1 tetori, në kushtet ku një familje shpenzonte më shumë se fasha 800kwh në muaj, një kilovat do të llogaritej me 42.85 lekë në vend të 11 lekë/ kilovat që është aktualisht.Teksa ERE kishte marrë vendimin që më 1 tetor të ndryshonte fasha e energjisë, kryeministri Edi Rama është tërhequr.

Me këtë rritje çmimi mbi fashën, OSHEE synon që të mbledhë 1.8 miliardë lekë apo 15.5 milion euro, të cilat do të përdoren për blerjen e energjisë në import gjatë tre muajve të mbetura. 40-70 mijë familje pritej të kishin një dimër më të kushtueshëm këtë vit sesa të tjerët.

Top Channel