Në Gjykatën e Durrësit po vijon seanca gjyqësore për 14 personat e grupit kriminal, që u arrestuan në kuadër të operacionit policor “Porositësit”.
Seanca gjyqësore për vleftësimin dhe caktimin e masës së sigurisë ka nisur pa pjesëmarrjen në sallë të vëllezërve Gentian dhe Indrit Beqiraj, të cilët pritet të jenë pjesë e seancës pas përfundimit të të akuzuarve të tjerë.
Gjyqtari Petraq Curri vendosi që ta zhvillojë me dyer të mbyllura, ndërsa pati një ndërprerje prej 40 minutash të seancës, që është karakterizuar nga kundërshti mes palëve.
Në fund të saj pritet që gjyqtari të caktojë masën e sigurimit personal për shtetasit:
Gentjan Beqiraj, Indrit Beqiraj, Flamur Bejko, Pëllumb Hoxha, Idajet Hoxha, Armand Dalipi (Daka), Fatjon Myrto, Blerim Elezi, Gentian Sheshi, Kujtim Deliallisi, vëllezërit Albano dhe Fatjon Hajdari, Armando Lama dhe Altin Çelami.
Në këtë grupim akuzohet i përfshirë dhe Ilirjan Feçi, i arrestuar më parë, në kuadër të operacionit “Golden Bullet”.
Goditja e grupit kriminal u bë tri ditë më parë, kur një seri ngjarjesh të rënda kriminale, të ndodhura më parë u zbuluan pas pengmarrjes së ndodhur në autostradë.
Grupi i strukturuar kriminal prej 21 personash që kryente vrasje kundrejt pagesës u çmontua nga policia e Durrësit, e cila vuri në pranga 14 prej tyre, mes të cilëve një polic burgjesh dhe majori i ushtrisë Altin Çelami në repartin e Pezë Helmësit dhe shpalli në kërkim 5 të tjerë.
Të përfshirë në ngjarjet kriminale janë Kasandër Noga i arrestuar në Belgjikë dhe Ilirian Peçi i arrestuar në operacionin “Plumbi i artë”.
Konflikti i vëllezërve Beqiraj ndodhur më 2 tetor, në autostradën Durrës-Tiranë, në vendin e quajtur “Koxhas”, ku disa persona me automjete goditën motomjetin e vëllezërve Beqiraj duke marrë me vete Indritin për disa minuta.
Po ashtu u zbardhën edhe mjaft detaje nga vrasja e Don Boskos ndodhur në janar të këtij viti.
Sipas policisë, porositësit paguanin për vrasjet shuma nga 50 deri në 150 mijë euro.
Top Channel