Për herë të parë, inflacioni “rrudh” menunë legjendare në Spanjë

06/10/2022 12:51

U shndërrua në magnetin e turistëve gjatë viteve 1960: ‘menu del dia’ , apo menuja e ditës prej tre pjatash në Spanjë ka qenë për shumë kohë mënyra më e lirë në këtë vend për të ngrënë një drekë të kënaqshme.

Por me inflacionin që po lëviz tek 10 për qind, ky vakt i përballueshëm “legjendar” tashmë është nën kërcënim ndërsa restorantet po përpiqen gjithmonë e më shumë të kursejnë.

“Është e vërtetë, nga katër startera që përdornim, tani kemi vetëm dy, pra opsionet janë reduktuar shumë. Po përpiqemi ndërkohë që edhe të mos harxhojmë ose të mos hedhim aq shumë ushqim sa më parë”, thotë Laura Rubio, kamariere.

“Ne zakonisht shkojmë në restorante që kanë menu ditore, sepse në fund të fundit, është më e shpejtë, është më e larmishme dhe shumë më e përballueshme. Por gjërat dhe aty kanë nisur të ndryshojnë”, shprehet Estefania Hervas, Punonjëse marketingu.

“Në disa restorante, kam vënë re se çmimi i menusë ditore është rritur. Në fund të ditës, edhe restorantet duhet t’i blejnë përbërësit dhe ata kanë pasur gjithashtu rritje të kostove. E vërteta është që çmimet janë rritur ca“, rrëfen Sara Riballo, punonjëse marketingu.

Restorantet spanjolle shërbejnë mesatarisht katër milionë “menu del dia” çdo ditë në vendin me 47 milionë banorë, sipas të dhënave të ofruara nga shoqata e bujtinave atje. Ideja u hodh përpara gati 6 dekadash, kur Spanja ishte nën diktaturën e Francisco Frankos.

Asokohe u lëshua një urdhër ministror që të gjitha restorantet duhet të ofronin një të ashtëquajtur “menu turistike” për t’u kujdesur për valët në rritje të vizitorëve të huaj në bregdetin spanjoll. Dekreti kalua në buletinin zyrtar shtetëror. Aty specifikohej se duke filluar nga 1 gushti 1964, menuja duhet të përmbante minimumi një supë, një pjatë kryesore, një ëmbëlsirë, një gotë verë dhe pak bukë.

 

 

Top Channel