Liderët e 44 vendeve europiane janë mbledhur në Pragë për takimin e parë të Komunitetit Politik Europian, me një mesazh të qartë: Krijimin e një rendi të ri pa Rusinë.

Në një kohë krizash e pasigurie si kjo që ka pllakosur kontinentin e vjetër, tentohet edhe një herë të ofrohen shpresa e garanci solidariteti dhe mbështetjeje. Shefi i diplomacisë së BE-së, Joseph Borell i vuri që në fillim piketat, duke tentuar të përvijojë natyrën e samitit të sotëm.

“Ky takim, vjen me përpjekjet për të krijuar një rend të ri pa Rusinë. Kjo nuk do të thotë se ne duam ta përjashtojmë Rusinë përgjithmonë, por kjo Rusi, Rusia e Putinit, nuk ka vend këtu. Ky është sinjali që duam të dërgojmë, se fatkeqësisht nuk mund të ndërtojmë një rend sigurie me Rusinë. Ajo është e izoluar… Për ju nuk ka vend, të tjerët këtu janë”, u shpreh Borell.

Por zhvendosja e fokusit tek Rusia nuk zbeh zërat kritikë, të cilët pretendojnë se ende është e paqartë çfarë synohet me këtë forum dhe nëse ai mund të shërbejë më shumë si një frenues i zgjerimit të Bashkimit Europian. Kjo nismë e ndërmarrë prej presidentit francez Emmanuel Macron, bën bashkë 27 vendet anëtare të BE-së dhe 17 vende të tjera, përfshirë ato të Ballkanit Perëndimor si dhe Britaninë e Madhe e cila në vitin 2016 votoi për t’u larguar nga blloku.

Takimi përurues do të prekë çështje të ngutshme e do të trajtojë sfidat me të cilat përballet Europa; siguria, energjia, klima, situata e rëndë ekonomike dhe emigracioni. Por për vendet e Ballkanit Perëndimor, vëmendja është tek zgjerimi, në mesin e shqetësimeve se Komuniteti Politik Evropian mund të kthehet në një “biletë e klasit të dytë” për t’u bashkuar me bllokun duke pasur parasysh ritmin pothuajse të ngrirë të bisedimeve për anëtarësim vitet e fundit. Disa prej tyre kanë rreth dy dekada që presin dhe ndodhen në faza të ndryshme të proceseve integruese.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, u ulen në muajin korrik të këtij vitit në të njëjtën tryezë me vendet anëtare të BE-së, në Konferencën e parë ndërqeveritare, duke shënuar kështu nisjen e procesit të bisedimeve për anëtarësim, pas një kalvari të gjatë pritjeje, zvarritjesh dhe pengesash.

Top Channel