Ish-deputeti Alqi Bllako është liruar nga burgu, pasi gjykata pranoi kërkesën e tij për zëvendësimin e masës në arrest shtëpie.
Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme Irena Gjoka pranoi sot kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë nga arrest me burg në “arrest shtëpie” për ish deputetin socialist të arrestuar për aferën e incineratorëve.
Si ish zyrtar qe përfaqësonte nivelin më të lartë të nëpunësit civil në Ministrinë e Mjedisit, Bllako akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre, pasi SPAK këmbëngul se ai jo vetëm u implikua gjatë procedurave për inceneratorin e Fierit, por dhe firmosi shkresa që tjetërsuan truallin në të cilin do ndërtohej inceneratiori.
Gjithashtu i ati u punësua si drejtor i këtij kantieri që SPAK e konsideron një formë korrupsioni të sofistikuar.
Gjatë seancës së fundit gjyqësore të mbajtur në maj të këtij viti, ai këmbënguli për pafajësi, mos kompetencë për të firmosur shkresa dhe se nuk kishte asnjë mundësi ndikimi për vendimmarrjen për inceneratorin, pasi në atë kohë Bllako tha se ka qenë i punësuar në Presidencë.
Ish deputeti Bllako është vendosur njëherazi dhe nën hetim pasuror ashtu sikurse ish eprori i tij Lefter Koka, që pret në paraburgim mbylljen e hetimeve, megjithëse ka dorëzuar disa shkresa për të lënë qelinë.
Top Channel