Familja me katër anëtarë e rrëmbyer në Kaliforni, gjenden të vdekur në zonën e largët (fotot)

06/10/2022 16:43

Katër anëtarë të një familjeje në Kaliforni të rrëmbyer në fillim të javës, janë gjetur sot tragjikisht të vdekur në një zonë rurale të rajonit, njoftuan autoritetet.

Sherifi i kontesë Merced, Vern Warnke tha se “frikat tona për më të keqen u konfirmuan” kur katër trupat, duke përfshirë dhe atë të vajzës 8-muajshe, u gjetën nga një fermer në veri të Kalifirnisë.

Autori i dyshuar për pengmarrjen Jesus Manuel Salgado, është arrestuar prej të martës.

Akuzat ndaj tij nuk janë ngritur ende teksa Warnke tha se autoritetet ende po punojnë për të ngritur të gjithë çështjen ndaj tij.

“Nuk ka fjalë për të përshkruar absurditetin e këtij incidenti”, tha Warnke gjatë konferencës së shtypit. “Duhet të ketë një vend të veçantë në ferr për këtë njeri”, shtoi ai.

Vajza e vogël Aroohi Dheri, nëna e saj Jasleen Kaur, 27 vjeçe, babai Jasdeep Singh, 36 vjeç, dhe xhaxhai Amandeep Singh, 39 vjeç, u morën peng pasditen e të hënës nga dyqani i tyre në qytezën Merced.

Familja u shpall e humbur kur zjarrfikësit në Kaliforni zbuluan makinën tip fuoristradë Dodge Ram që po digjen në Winton e regjistruar me emrin e Amandeep Singh, i cili nuk mund të arrihej apo të kontaktohej nga të afërmit.

Në konferencën e sotme të shtypit sherifi tha se pamjet e kamerave të sigurisë tregonin një burrë me maske që udhëzonte të ecnin dy të tjerë me duar të lidhura nga prapa, ndërsa më pas pengmarrësi u kthye për të marrë nënën me beben.

Motivi për vrasjet e pengmarrjet ende nuk dihet teksa autoritetet janë duke analizuar skenën e krimit të rëndë.

48 vjecari Salgado u arrestua kur një kartë banke që i përkiste familjes u përdor në Atwater ndërsa raportohej se autori ishte përpjekur të vriste veten para arrestimit.

FOTO GALERI
1/3
Pengmarresi me nenen dhe bijen 8 muajshe

Top Channel