Ish-prokurori Besnik Cani, i cili mori fitore nga Gjykata e Strasburgut, ka katër muaj kohë që t’u drejtohet institucioneve shqiptare për rihapje të çështjes.
Por kjo vendimmarrje u ka dhënë shpresë edhe 35 subjekteve të tjera, gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar nga KPA, që u gjykuan nga gjyqtari Luan Daci, emri i të cilit lakohet nga Strasburgu si një gjyqtar i zgjedhur pa ligj, sa kohë institucionet shqiptare nuk ishin në gjendje që të kontrollonin të kaluarën e tij.
Por profesionistët e ligjit këmbëngulin fort se ata nuk fitojnë nga vendimi i Strasburgut pasi secili prej tyre duhet t’i drejtohet me një kërkesë individuale gjykatës europiane dhe këtë e thotë Aurela Anastasi, eksperte kushtetuese dhe ish-eksperte e nivelit të lartë e reformës në drejtësi.
“Gjykata ka ritheksuar qëndrimin që ka mbajtur edhe në çështje pararendëse, sipas të cilit nuk ka ndonjë detyrim shteti shqiptar që të riçelë apo të rishqyrtojë në tërësi çështje të ngjashme me çështjen në fjalë”.
Dhe teksa Gjykata e Strasburgut ofron mundësinë për ndërmjetësim midis qeverisë shqiptare dhe prokurorit të shkarkuar, nuk përjashtohet mundësia që palët të kenë oferta për njëra tjetrën. Megjithatë, mundësitë janë që Besnik Cani të tregohet i vendosur dhe t’i drejtohet KPA-së për rihapje të procesit. Në rast se kjo ndodh, KPA do jetë ‘shah mat’, pasi nuk ka gjyqtarë pasi ata janë ezauruar kur e gjykuan herën e parë.
“Vetë Kolegji i Posaçëm i Apelimit, nuk është në kushtet dhe mundësitë që ta ushtrojë ai detyrimin për të rihapur çështjen dhe për ta rishqyrtuar çështjen”, thotë Anastasi.
Ndaj ekziston vetëm një mundësi, të ndërhyjë Gjykata Kushtetuese.
“Ky rast, mund të shqyrtohet nga seanca plenare apo nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese”, shpjegon Anastasi.
Top Channel