Rinovimi me Rafael Leaon mban në ankth tifozët e Milanit. Ylli portugez ka kontratë me kampionët e Italisë deri në verën e vitit 2024, por akordi i ri nuk duhet vonuar, pasi klube si Chelsea apo Manchester City janë gati t’i plotësojnë çdo dëshirë lojtarit më të mirë të sezonit të fundit në Itali.
23-vjeçari përfiton aktualisht vetëm 1.5 milionë euro në sezon, drejtuesit e kuqezinjve do t’i rrisin ndjeshëm pagën në kontratën e re, por marrëveshja finale nuk po arrihet. Sulmuesi i majtë kërkon 7 milionë euro në sezon për të firmosur zgjatjen e bashkëpunimit me klubin e njohur.
Ish-sulmuesi i Juventusit, Fabrizio Ravanelli i ka idetë e qartë në lidhje me këtë çështje dhe fton drejtuesit e Milanit që t’i plotësojnë menjëherë kërkesat e futbollistit.
“Leao kërkon 7 milionë euro në vit për të rinovuar? Ai i meriton plotësisht këto para. Milani do të bënte një pazar të mirë nëse zgjat kontratën e portugezit me këto shifra.
Nëse kërkesa e lojtarit është kjo shumë, drejtuesit e Milanit duhet të firmosin menjëherë me të, pasi ai është një futbollist vendimtar për skuadrën”, deklaroi Ravanelli, i cili shënoi golin e vetëm të Juventusit në triumfin e fundit në Champions League (1996)./ Super Sport
Top Channel