Ekspertët botërorë: Për ata të rritur që nuk e lënë duhanin, ka alternativa më të mira pa djegie për të vazhduar

05/10/2022 09:00

Konsumi i duhanit nga të miturit në vendin tonë është një shqetësim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë pasi ka një rritje të duhanpirësve në grupmoshën 13-15 vjeç. Nëse në vitin 2015 kishim 5.5% vajza duhanpirëse në vitin 2022 kjo shifër ka rezultuar 9.9 %.

Ndërsa djem në vitin 2015 kishim 12.01%  përdorues të duhanit, në vitin 2022 kjo shifër është rritur në 20.2%.

Në Shqipëri çdo vit humbin jetën 4500 persona nga sëmundje që kanë si shkak duhanpirjen. Ndërkohë shkenca ka evoluar dhe alternativa të reja po ofrohen në vende të zhvilluara për konsumatorët e duhanit të cilat kanë disa herë më pak efekte negative në shëndet. Këto produkte i ndihmojnë përdoruesit e duhanit, të cilët zgjedhin ta konsumojnë cigaren prej nikotinës, ta marrin atë dhe të largohen dalëngadalë nga duhanpirja. Edhe alternativat e reja të duhanpirjes përmbajnë nikotinë, por nëse nga cigarja thithim e çojmë në organizëm të gjitha toksinat që shkaktohen nga djegia e duhanit, alternativat e reja shmangin prodhimin e këtij tymi pasi nuk ka djegie. Shkenca ka provuar se ekspozimi i duhanpirësve ndaj kimikateve të dëmshme ulet kështu me 95%.

Profesor Dr Kostantinos Farsalinos, mjek kardiolog dhe kërkues në qendrën e survejimit të sëmundjeve kardiake në Athinë, njëkohësisht edhe kërkues në departamentin e farmaceutikës theksoi se këto alternativa të reja janë shumë herë më pak të dëmshme për shëndetin e përdoruesve të duhanit.

“Ndryshimi thelbësor mes cigares dhe alternativave të reja qëndron tek reduktimi i dëmit në sajë të eliminimit të djegies. Nëse shohim produktet si snus, cigaret elektrike apo pajisjet me ngrohje, ato nuk djegin duhanin, kështu dhe përdoruesit e tyre nuk thithin tymin e prodhuar nga ky proces. Vetëm fakti që duhani tek cigaret digjet në temperaturën 800 gradë Celsius, të lë të kuptosh sa dëme sjell. Ndërkohë që mungesa e djegies në alternativat e reja përcakton avantazhet e këtij produkti.”

Sipas ekspertit “çdo gjë që digjet çliron një seri kimikatesh të dëmshme dhe toksike, dhe reduktimi i dëmit fokusohet pikërisht tek eliminimi i këtyre risqeve.”

I pyetur se çfarë mund të bëhet për të ndihmuar duhanpirësit në rrugëtimin e tyre, Dr. Farsalinos u përqëndrua tek rëndësia e informacionit. “Nëse punohet nga të gjitha palët si institucionet shëndetësore, por edhe kompanitë, që duhanpirësit të informohen për të gjithë faktet rreth alternativave pa tym, si ato funksionojnë, si dhe krijimi i aksesit për to, këta përdorues më pas mund të marrin vendime më të sigurta”.

E ndërsa për Gisele Baker, Zëvendës Presidenten e Departamentit Shkencor Global pranë Philip Morris International, është e rëndësishme që duhanpirësit të dinë se shkenca po punon për të gjetur zgjidhje dhe për të minimizuar dëmet në shëndet.

“Ne luajmë rolin e rregullatorit, aplikimet tona të bëra tek FDA, një nga institucionet kryesore të kontrollit, kanë marrë auorizimet përkatëse, që do të thotë që këto produkte janë të ndryshme, por përputhen me normat për mbrojtjen e shëndetit publik. Është e rëndësishme që konsumatori t’i kuptojë këto fakte,” përmbyll Baker.

Top Channel