Deputetët e Komisionit për Sigurinë Kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës takim me anëtarët e SHISH

05/10/2022 14:45

Shërbimi Informativ i Shtetit mirëpriti për një vizitë njohëse deputetët e Komisionit për Sigurinë Kombëtare të Kuvendit të Shqipërisë dhe Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes të Kuvendit të Kosovës.

Zëvendësdrejtori i SHISH-it, z. Oljan Kanushi, falënderoi deputetët e Kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës për vizitën në Selinë Qendrore të Shërbimit dhe i njohu ata me misionin, vizionin dhe vlerat e SHISH-it. Në fjalën prezantuese, Kanushi theksoi se, SHISH-i është organ informativ dhe misioni i tij parësor është ruajtja e sigurisë kombëtare, duke siguruar informacion nga Zbulimi dhe Kundërzbulimi.

“Ligjshmëria, objektiviteti dhe sekreti janë parimet bazë të punës së Shërbimit Informativ të Shtetit, ndërsa integriteti, profesionalizmi dhe puna në ekip mbeten vlerat e kësaj organizate”, u shpreh zv/drejtori i SHISH-it. Ai theksoi se situata dhe zhvillimet në Shqipëri, Kosovë e rajon kërkojnë rritjen e ndërveprimit mes strukturave të inteligjencës për të garantuar sigurinë e përbashkët, në bashkëpunim me aleatët strategjikë.

Drejtuesit e Komisionit për Sigurinë Kombëtare të Kuvendit të Shqipërisë dhe Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes të Kuvendit të Kosovës falënderuan drejtuesit e SHISH-it për prezantimin dhe pritjen e ofruar, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve shtetërore të Shqipërisë e Kosovës për rritjen e sigurisë në të dy vendet dhe rajon.

Top Channel