Vendoret/ Meta: Opozita me një kandidat, nuk do vemë kushte. Primaret? Kush i organizon duhet të garantojë edhe cilësinë e tyre

04/10/2022 14:15

Partia e Lirisë nuk do të vendosë kushte për zgjedhjet e ardhshme vendore sa i përket bashkive, ndërsa thekson se opozita duhet të dalë me një kandidat të vetëm në këto zgjedhje.

Deklarata u bë nga kreu i kësaj force politike, ku komentoi edhe primaret e Sali Berishës, si një proces demokratik por kërkoi të garantohet cilësia nga organizatorët e tyre.

Ne luftojmë të dalim forcë e parë në këshillat bashkiakë është e drejtë e cdo forcë të arrijë maksimumin e vet. Këshilli bashkiak i Tiranës do të jetë shumë herë më i fuqishëm se parlamenti që ende ka ca ‘kërpërata’.

Në kushtet e ballafaqimit me një regjim mafioz, sa i takon kandidatëve është shumë e rëndësishme që opozita të ketë një kandidat në cdo bashki. Dhe në këtë drejtim kemi bërë të qartë se nuk do vemë kushte për asnjë bashki. Nëse do ketë kandidati nga Partia e Lirisë ajo është një cështje që do bisedojmë dhe do gjejmë mënyrë më të mirë që ky të testohet.

PD ka nisur procesin e saj të primareve, një praktikë shumë demokratike, ju e dini se i vlerësoj primaret se është praktike demokratike, por njëkohësisht ato që i bëjnë duhet të marrin masat edhe për cilësinë e tyre. Kemi kërkuar sot që të marrin përgjegjësinë për përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë. Nuk do mbetet ideja se u bënë primaret, por do mbetet cilësia e tyre. Kanë eksperiencë për të bërë punën më të mirë. “, u shpreh Meta.

Kur do të nisin protestat, qeveria ka shprehur se nuk ju sheh si garues?

Meta: Për cilën qeveri të flas? Të hakeruarën kokë e këmbë. Që do të bëje me pahir amnistinë fiskale. Jo se duan të ndihmojnë çunat e Anglisë, por të pastrojnë miliarda lekët që vjedhin nga aferat publike. Nuk kemi ça ti themi kësaj qeverie, protestat do të jenë nga më të ndryshmet dhe të bashkëshoqëruara me zgjedhjet. Nesër është protesta e pedagogëve, nuk ka protestë më kombëtare sa kjo. Këta duan që studentët e pedagogët e mirë të largohen e ky vend të varfërohet më shpejt.

Kur do të bëhet publike data për zgjedhjet lokale?

Meta: Çdo datë që do të zgjedhë presidenti gëzon mbështetjen tonë të plotë. Sot le të bëhen e ky vend të shpëtojë. Unë kam qenë vetë president dhe është detyra e Presidentit të dëgjojë e më pas ai bën zgjedhjen e tij. Mbështes çdo vendim të tij.

A i keni mbyllur derën grupimit të Alibeajt?

Meta: Unë nuk mbyll asnjë derë, ju e dini kam që në dy mars që jam në shesh përballë këtij regjimi. Tani jam pak më komod sepse kam një forcë politike e cila pavarësisht nga traumat që ka kaluar, ka një dinamikë që do të jetë spektakolare. Është koha se çfarë të bëjmë jo çfarë të themi. Qytetarët këto gjëra I lexojnë shumë drejtë. Nuk kam ndërprerë komunikimin me askënd dhe jam në komunikim më ata që duan të bëjnë një opozitë të vërtetë jo me regji.

Top Channel