Kreu i kartelit kolumbian vesh uniformën e gardianit dhe del ‘i qetë’ nga burgu (fotot)

03/10/2022 21:44

Një operacion i gjerë kërkimi ka nisur pas arratisjes së pabesueshme të kreut kolumbian të drogave Juan Castro, i cili kishte dalë pa zhurmë nga burgu i sigurisë së lartë La Picota në Bogota, i veshur me uniformë gardiani.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregonin Juan Castro, i konsideruar si numri dy i kartelit famëkeq të drogave Clan del Golfo [Klani i Gjirit], duke kaluar qetësisht mes disa kangjellash të burgut La Picota, para se të niste arratisjen e tij.

Një prej palëve të dyerve ishin lënë hapur nga inspektori Miltón Jímenez, i cili tashmë është arrestuar si ndihmës i dyshuar në arratisjen e Castro.

Në pamjet e publikuar nuk shihet asnjë roje sigurie që të mund të pengojë Castro, përveç një qeni të vogël që e shikon me dyshim.

Zyrtarët shtonin se disa nga kamerat e sigurisë nuk ishin në funksion në kohën e arratisjes së tij.

Drejtori i burgut Juan Gordillo, dhe rreth 50 roje janë pezulluar mes akuzave se kanë marrë rryshfet që arrijnë deri në 1 milionë dollarë për të lënë të lirë krye-trafikantin.

Duke reaguar ndaj arratisjes së Castro, presidenti i Kolumbisë, Iván Duque njoftoi një “reformë të konsiderueshme në sistemin e burgjeve të vendit,” duke thënë se sistemi penal i vendit “nuk mund të vazhdojë me këto sjellje pa marrë sanksione ekzemplare”.

Castro është ndaluar shumë herë nga policia kolumbiane dhe ka bërë tentativa arratisjeje dhe në të kaluarën, ku në një prej rasteve kishte inskenuar vdekjen e vet.

Ai ka kryer gjithashtu kirurgji plastike për të shmangur zbulimin por u arrestua në maj 2021, i akuzuar për shumë shkelje drogash dhe pritej të ekstradohej në SHBA.

Organizata e tij besohet se ka lidhje me rebelët komunistë anti-amerikanë në Kolumbi si dhe me kartelet meksikane të drogave Sinaloa e Jalisco Nueva Generation.

Kërkimet për të vazhdojnë.

FOTO GALERI
1/5
Juan Castro i cili kishte dalë pa zhurmë nga burgu i sigurisë së lartë La Picota në Bogota, i veshur me uniformë gardiani.

Top Channel