Heqja e fashës 800 kw/ Ministrja Balluku: Nuk e hoqëm nga presioni, por u ul konsumi! Ja ç’do ndodhë në nëntor

03/10/2022 17:45

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku thotë se fasha prej 800 kw e hequr nga qeveria ka ardhur pas analizimit të situatës dhe uljes së konsumit, dhe jo nga presioni i opozitës.

Nga Kuvendi, Balluku tha se heqja e fashës erdhi pas normalizimit të situatës së motit, por edhe pas sensibilizimit të qytetarëve që kanë nisur të konsumojnë më pak energji.

Teksa i doli në mbrojtje Entit Rregullator të Energjisës, zv.kryeministjra tha se qeveria e aplikoi mburojën për qytetarët, pavarësisht kontestimeve nga krahu opozitar.

Edhe për muajin nëntor, Balluku tha se shpreson që të rritet niveli i kaskadës së Drinit dhe të kontrollohet konsumi i energjisë elektrike që të mos aplikohet fasha.

“Nuk kemi pasur presion, nuk vihemi në presion. Kemi vlerësuar situatën dhe konsumin. Moti është më i stabilizuar, por edhe për faktin se qytetarët kanë filluar të sensibilizohen. Konsumi është ulur.  Përmirësimi i kushteve hidrike të kaskadës, ulja e konsumit na bëri që të rishikojmë aplikimin e fashës. Ju i hidheni ERE-s se s’keni ça ti bëni gomarit dhe i hidheni samarit. ERE keni një javë që i bëni copë pa asnjë të drejtë. Detyrimisht, ERE e ka bërë punën siç duhet. Nëse qeveria vendos ta aplikojë mburojën, do dali Ere të na thotë jo se do mërzitet opozita? Shpresojmë që gjatë nëntorit të rriten nivelit  e kaskadën Drinit, konsum, të kontrollit, na vjen keq që ju prishëm planet”- tha Balluku.

Një ditë para se të niste aplikimi, qeveria mori vendimin që të mos aplikohej çmim i rritur prej 1 tetorit, për të gjitha familjet që do të harxhonin mbi 800 kë energji elektrike.

Propozimi për ndryshimin e çmimit të energjisë elektrike për ata që do të harxhojnë mbi 800 kw, paçka se qeveria thoshte se prekte mbi 70.000 familje, nisi të prodhonte shqetësim tek qytetarët.

Top Channel