I dobësuar tashmë në uragan të kategorisë së parë, Ian po godet Karolinën e Jugut pasi mbolli shkatërrim në pothuajse të gjithë Floridën, ku la pas edhe 21 të vdekur, edhe pse ende duhet përcaktuar nëse të gjitha viktimat lidhen drejtpërdrejte me ciklonin.
Stuhia e humbi fuqinë teksa avanconte në brendësi të kontinentit, megjithatë ekspertët thonë se rreziku ende nuk ka kaluar plotësisht. Përmbytjet pritet të vazhdojnë për ditë të tëra në të gjithë rajonin, përfshirë Floridan.
Radhë të gjata makinash u panë të enjten tek largoheshin nga Çarlestoni dhe të premten ai u gdhi kryesisht bosh, i goditur nga erëra të fuqishme e reshje shiu.
Ian ishte një nga stuhitë më të forta që ka goditur ndonjëherë SHBA-në kur u përplas të mërkurën mbi Floridën si uragan i kategorisë katër. Autoritetet dhanë një ditë më parë alarmin për të gjithë bregun e Karolinës së Jugut dhe atë të Veriut.
Sipas një studimi të përgatitur menjëherë pasi stuhia, që mori fuqi në Gjirin e Meksikës preku tokën, ndryshimet klimatike bënë që uragani të sillte me vete të paktën 10% më shumë shi.
Guvernatori i Floridas, Ron DeSantis, pohoi se dëmet në disa rajone janë “gati të papërshkrueshme”. Uragani Ian goditi fillimisht Kubën, duke e lënë të martën të gjithë vendin pa energji elektrike.
Top Channel