Turqia i është bashkuar komunitetit ndërkombëtar në dënimin e përpjekjes së Rusisë për të aneksuar paligjshëm edhe katër rajone ukrainase, teksa tri shtete të Baltikut i kanë bërë thirrje NATO-s që të nisë procedurat e përshpejtuara për të pranuar Ukrainën në aleancën perëndimore.
Ministria e Jashtme e Turqisë më 1 tetor tha se veprimet ruse përbëjnë “shkelje të rëndë” të ligjit ndërkombëtar, duke theksuar se Ankaraja po ashtu refuzon të njohë aneksimin e paligjshëm të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia më 2014.
“Ne përsërisim mbështetjen tonë për zgjidhjen e kësaj lufte, ashpërsia e së cilës po vazhdon të rritet. Ne mbështesim një zgjidhje të bazuar në paqe që mund të arrihet përmes negociatave”, u tha në deklaratën e Turqisë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, më 30 shtator nënshkroi dokumentet për zyrtarizmin e përpjekjeve të Rusisë për të aneksuar rajonet ukrainase të Donjeckut, Luhanskut, Hersonit dhe Zaporizhjës, territore të pushtuara nga forcat ruse. Më herët, Moska mbajti referendume të rreme në këto katër rajone, votime që janë dënuar nga komuniteti ndërkombëtar.
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se “këto veprime nuk kanë legjitimitet”, ndërkaq shtetet e tjera, përfshirë Gjermaninë, Britaninë, Suedinë dhe Poloninë dënuan veprimin e Moskës. Rusia ka vendosur veto ndaj një rezolute në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që kërkon ndaljen e menjëhershme “të pushtimit të paligjshëm dhe në shkallë të gjerë të Ukrainës”.
Më 30 shtator, tri shtetet e Baltikut, Estonia, Lituania dhe Letonia lëshuan një deklaratë të përbashkët përmes së cilës mbështetën kërkesën e Kievit që Ukrainës t’i mundësohet anëtarësimi i përshpejtuar në NATO.
“Miqtë e Ukrainës në Baltik mbështesin plotësisht anëtarësimin e Ukrainës në NATO sa më shpejt që të jetë e mundur”, u tha në deklaratë. “Trimëria e Ukrainës vetëm mund të forcojë aleancën tonë”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi se Kievi po kërkon që t’i bashkohet menjëherë aleancës pas përpjekjeve të Moskës për të marrë katër rajone ukrainase. Megjithatë, ndaj kësaj kërkese kishte një përgjigje të kujdesshme nga Uashingtoni dhe nga selia e NATO-s.
“Tash për tash, qëndrimi ynë është se mënyra më e mirë që ne të mbështesim Ukrainës është përmes mbështetjes praktike në terren, dhe se procesi në Bruksel duhet të nisë në një kohë tjetër”, tha Jake Sullivan, këshilltar për siguri kombëtare i SHBA-së.
Analistët thanë se ka pak të ngjarë që NATO të pranojë si anëtare një shtet që është në luftë.
Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, duke nisur luftën më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Konflikti ka lënë të vdekur dhjetëra mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur./ Radio Evropa e Lirë
Top Channel