Rama publikon dokumentet për ‘Syrin e Tiranës’: Gjoba ka rënë në duart e një gjykatësi të verbuar

01/10/2022 16:22

Kryeministri Edi Rama ka publikuar dokumentin e gjobës prej 162 milionë 634 mijë e 500 lekë të reja për metrat katrorë pa leje të kullës “Syri i Tiranës”, në qendër të kryeqytetit.

Rama thekson se data e vendosjes së gjobës nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit është 24 qershor. Ai thotë se gjoba ka rënë në duart e një gjykatësi aq të verbuara sa që ka hedhur poshtë kallëzimin.

“Pas *dokumentit të kallëzimit penal që patë dje, ja edhe dokumenti i gjobës prej 162 milionë 634 mijë e 500 lekë të reja ose 1 milionë 366 mijë e 130 USD, për metrat katrorë pa leje në qendër të Tiranës, të cilat para pak ditësh i mori shteti, për interes publik

Shikojeni edhe datën e vendosjes së kësaj gjobe nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe përmes dokumentit tjetër bashkëngjitur, informohuni se kjo gjobë, ka rënë në duart e një gjykatësi aq të verbuar, sa që pa iu dridhur dora i ka dhënë kompanisë të drejtë në shkallën e parë, ndërkohë që ligji është i qartë, sasia e gjobës për metër katror shtesë pa leje përcaktohet me ligj, metrat katrorë shtesë pa leje janë aty…

Sinqerisht, ju që shani e akuzoni qorrazi këtu, mund të keni një mijë e një arsye për të mos votuar për mua apo për të menduar, se politikanët janë të tërë njësoj, por ama, të mos e shohësh vullnetin e plotë për t’i dhënë një goditje finale këtij fenomeni të shëmtuar dhe të mos e kuptosh, se këtë vullnet mund ta ketë vetëm kush as është i kapur prej parellinjve, as kapet dot me asnjë lloj shume parash, kjo është të tallesh keq me veten në rastin më të mirë ose në rastin më të keq, kjo është të jesh një i korruptuar potencial, që s’e koncepton dot në botë se paraja nuk është gjithçka…”- shkruan Rama.

Top Channel