“Policia e dritave” është shërbimi më i ri në shtetin shqiptar.
Shembullin për të përballuar dimrin kërcënues në kushtet e një krize globale energjitike, duket se qeveria po e nis nga vetja nën zbatimin e disa masave për kursimin e energjisë.
“Në të gjitha institucionet publike do të ketë një administrator energjie. Edhe Ministria e Arsimit po harton direktiva që të fiken të gjitha dritat pas përfundimit të mësimit. Po të vini në kryeministri nuk ndriçon më njësoj. Administrata duhet të kursejë 15%…”, tha Rama.
Megjithatë, tërheqja e qeverisë për të rritur çmimin e energjisë për ato familje që do të harxhonin mbi 800 kw është e sigurtë vetëm për muajin tetor.
Por kryeministri Edi Rama në përballje me komentet e shqiptarëve në Facebook, ju ktheu përgjigje se qeveria nuk ka hequr dorë nga ky plan masash, thjesht e ka shtyrë zbatimin për muajt në vijim.
Shpresa për anulim sipas tij mbetet vetëm duke pasur sytë nga qielli dhe duke ndërgjegjësuar familjet që të vazhdojnë kursimin e energjisë.
“Janë dy elementë, janë reshjet, kemi pasur që kanë shtuar edhe pse jo në mënyrë të konsiderueshme, në Fierzë janë shtuar kuotat dhe elementi i dytë është një trend kursimi që ka bërë që nevoja për energji të jetë shumë më e ulët se sa parashikimi ne mund ta përballojmë. Nëse trendi do të vijojë dhe reshjet do të vijojnë ne do ta kalojmë pa asnjë të papritur. Në muajin nëntor do të vendoset fasha duke marrë parasysh parametrat ose do t’i rikthehemi diskutimit”, u shpreh Rama.
Rama pranoi se kryesojmë në listën e vendeve me burimet ujore më të larta, por i cilësoi si të pamjaftueshme pasi nuk prodhohet më shumë 75% energji dhe pjesa tjetër duhet siguruar nga importi.
Top Channel