Shtetet e Bashkuara nuk frikësohen nga kërcënimet e pamenduara mirë, paralajmëroi presidenti amerikan Joe Biden Rusinë vetëm pasi Vladimir Putin, zyrtarizoi aneksimin e katër rajoneve të pushtuara të Ukrainës.
Putin la të kuptohet se nëse dikush tenton t`ia heqë këto territore, Moska do të përdorë armët atomike. Donjecku, Luhansku, Zaporizhia e Khersoni do të jenë “përgjithmonë” pjesë e Rusisë tha ai në fjalimin pompoz të një dite më parë, ku theksoi se banorët e zonave në fjalë votuan vetë “për t’iu bashkuar atdheut të tyre”.
Ai iu referua referendumeve të rreme që u mbajtën në këto katër rajone nga 23 deri më 27 shkurt, të cilat si Ukraina ashtu edhe Perëndimi i kanë dënuar me forcë duke i quajtur të rreme. Në fakt, shumica e fjalimit të Putinit synonte goditjen e Perëndimit.
Javën e kaluar, Presidenti rus po kështu e bëri të qartë se vendi i tij ka “armë të ndryshme të shkatërrimit në masë” dhe se “do të përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion”, duke shtuar se “ky nuk është blof”.
Por, shefi i shtëpisë së Bardhë, Biden u shpreh se kërcënimet e homologut rus, nuk e frikësojnë Amerikën.
“Amerika dhe aleatët e saj nuk do të frikësohen. Amerika është e përgatitur plotësisht, me aleatët tanë në NATO, për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të aleancës. Zoti Putin, mos keqkupto çfarë po them: Çdo centimetër”, tha Biden.
Pak kohë pas këtij fjalimi, këshilltari kryesor i sigurisë kombëtare të SHBA-së,pohoi se ka vërtet gjasa që Moska të përdorë armë bërthamore, por deri më tani nuk duket se ka kërcënim të menjëhershëm.
Pas njoftimit të Putinit për aneksimin e katër rajoneve ukrainase, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi se vendi i tij ka nisur një procedurë të përshpejtuar për t’iu bashkuar NATO-s. Por, shefi i aleancës, Jens Stoltenberg e hoqi përgjegjësinë nga vetja duke thënë se vendimi për pranimin e një shteti të ri u takon të 30 anëtarëve të NATO-s.
Top Channel