A do të vendoset fasha energjetike? Rama: Nëse trendi i kursimit do të vijojë bashkë me reshjet, do ta kalojmë pa asnjë të papritur tetorin

01/10/2022 09:21

Kryeministri Edi Rama tha se muaji tetor do të kalojë pa fasha energjetike, nëse trendi i kursimit do të vijojë nga qytetarët bashkë me reshjet e shiut.

Në lidhje me nëntorin, ai u shpreh se do të ridiskutohet kjo çështje nëse do të jemi në të njëjtën situatë.

“Janë dy elementë, janë reshjet, kemi pasur që kanë shtuar edhe pse jo në mënyrë të konsiderueshme, në Fierzë janë shtuar kuotat dhe elementi i dytë është një trend kursimi që ka bërë që nevoja për energji të jetë shumë më e ulët se sa parashikimi ne mund ta përballojmë. Nëse trendi do të vijojë dhe reshjet do të vijojnë ne do ta kalojmë pa asnjë të papritur. Në muajin nëntor do të vendoset fasha duke marrë parasysh parametrat ose do t’i rikthehemi diskutimit.

Ne kemi bërë një ndryshim të rëndësishëm në kontrata e bëra me hidrocentralet private të cilat me detyrimin e marrë nga qeveria e mëparshme, për para blerjeje do ta çonin në pikën ku do të kishim një hap larg nxjerrjes së dhëmbëve të falimentimit të shtetit. Duke qenë se i rinegociuam ato kontrata, vendosëm një tavan, ne kemi shumë më pak detyrime ndaj tyre, 300 milionë euro të kursyera në vit”, tha Rama.

Një prej qytetarëve tha se në shkollat e vendit, nuk fiken dritat kur mbaron mësimi. Rama u shpreh se do të ketë plan për vendosjen e një administratori të energjisë.

“Plani për vendosjen e administratorit të energjisë, për të gjitha zyrat dhe drejtorë për të gjitha shkollat që duhet t’i kenë të gjitha dritat e fikura, pas përfundimit të çdo procesi mësimi”, tha Rama.

Disa prej qytetarëve janë ankuar për faturat afrofe.

Rama: Nuk ka më në Shqipëri, ndërkohë që ka fatura të cilat vendosen sipas një mesatareje të konsumit kur nuk është i mundur leximi i sahatit, por numri i tyre është i vogël. fatura afrofe është një praktikë që i përket të shkuarës.  Nuk jam këtu për të treguar përralla, por jam për të folur me fakte dhe për të mbajtur përgjegjësi për atë që them, mjafton të shohim regjistrat e OSHEE-së.

Një paketë me qëllim përballimin e krizës energjetike ishte parashikuar të hynte në fuqi nga 1 tetori për familjet që harxhonin mbi 800 kË/h energji, por një ditë më parë, qeveria shqiptare e anuloi planin.

Kryeministri Edi Rama tha se gjatë kësaj kohe ka pasur shtim të kuotës në Fierzë për shkak të shirave dhe qytetarët kanë kursyer.

Top Channel