“40 subjekte dhe 18 kryetarë bashkie e komunash të kallëzuar”, Rama: Dosjet i ka zënë myku nëpër prokurori

01/10/2022 09:46

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar ashpër institucionet e drejtësisë, prokuroritë dhe gjykatat për mos çuarjen para drejtësisë të personave që kanë ndërtuar pa leje.

Ai tha se IKMT deri tani ka kallëzuar në prokurori 40 subjekte, 18 kryetarë bashkish dhe komunash, në kohën që ishin funksionale komunat mes tyre edhe të Partisë Socialiste, 12 drejtorë urbanistikë, 25 kryeinspektorë, 2 drejtorë rajonalë Aluizni dhe 4 kryetarë këshillash të rregullimit të territorit për ndërtimet pa leje në vend, por deri tani nuk ka dalë asnjë para ligjit.

“IKMT deri tani ka kallëzuar 40 subjekte, 18 kryetarë bashkish dhe komunash, edhe të PS, 12 drejtorë urbanistikë, 25 kryeinspektorë, 2 drejtorë rajonalë Aluizni 4 kryetarë këshillash të rregullimit të territorit. Sa nga këta kanë shkuar para ligjit, asnjë, të gjitha këto dosje i ka zënë myku nëpër prokurori.

Gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, i u shpreh se nisur nga kjo situatë, qeveria ndërhyri me vendimin ekstrem.

Prokuroritë na kanë vendosur një barrierë turpi, një pallat i tërë në një zonë turistike, kemi një vit që jemi bam e bum nëpër gjykata, pa larjen komplet, tani ka ardhur momenti për të dhënë një mesazh të qartë që çdo metër katror jashtë lejes do t’ju kushtojë aq shtrenjtë saqë do të jetë marrëzi që t’i hyni kësaj aventure.

 Penalisht nuk i ndjek qeveria, por drejtësia, dhe lufta jonë për drejtësinë është titanike për të pastruar këtë llum, që që është llum i llumit, nga ku gjeneron përditë, të njëjtën gjë mendoj dhe unë, kemi arritur të vendosim bazat e institucioneve të reja të drejtësisë të zyrtarëve të lartë. Nuk janë vetëm ndërtime pa leje, këto kallëzime, nga njëra anë dosja fle në prokurori, nga ana tjetër ai flet nëpër ekrane, nuk duhet të dorëzohemi, kjo është një goditje finale”, tha Rama.

 “Shpresoj që diçka të ndryshojë dhe pastaj kemi ndërhyrë ne me vendimin ekstrem. Në Tiranë janë një dyzinë, ka në Durrës, Kavajë, Vlorë, nuk do të ketë ndalesë dhe do të trajtohen sipas këtij ligji, i cili bën të mundur që prona të kthehet tek i zoti dhe i zoti është populli. Çfarë të bëjmë më shumë? Ta bëjmë si partia e dikurshme që të pushkatojmë prokurorë dhe gjykatës?”, shtoi Rama.

“Të thuash ka vajtur ku s’mban më dhe të harrosh se ku ka qenë duhet të ndalemi pak, ndërtimet pa leje kanë qenë kanceri i vendit, e kemi ulur 10fish këto ndërtesat pa leje. Sot jemi në kushtet kur duhet t’i japim një goditje përfundimtare këtij fenomeni. Është e pamundur që ne të vendosim kontroll të plotë dhe të rreptë për ata që ndërtojnë një avlli, shtëpi pa leje në fshat dhe të vijojë të ketë shanse për parllinjë. Kjo është luftë që nuk ndodh vetëm në Shqipëri, Spanja e ka pasur deri pak vite më parë, çështja është si të japim një goditje finale”, i është përgjigjur qytetarit kreu i qeverisë.

Qeveria ka marrë vendimin për të realizuar operacion  kundër ndërtimeve pa leje, i cili nisi zbatimin nga Tirana dhe do të shtrihet në çdo qytet vetëm për  subjektet që janë ndërtuar me qëllim fitimi.

Dy ditë më parë u  firmos akti i parë i dorëzimit tek shteti i 4646 metrave katrorë shtesë ndërtuar pa leje në pallatin “Syri i Tiranës”.

Disa zyrtarë komisariatesh janë pezulluar një ditë më parë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për shkak të ndërtimeve pa leje në zonën e Farkës në Tiranë.

Mësohet se është pezulluar nda detyra Bujar Mehmeti, shef i komisariatit nr 1, Flamur Sula shef i postës policore në Farkë si dhe disa policë që mbulojnë këto zona.

Top Channel