Presidenti Zelenksy kërkoi sot atë që dikur Rusia e kishte kusht për mos nisjen e sulmit ndaj Ukrainës, konfirmimin se vendi nuk do anëtarësohej në NATO.
“Ne kemi vërtetuar tashmë përputhshmërinë tonë me standardet e Aleancës dhe po bëjmë një hap vendimtar duke nënshkruar kërkesën për anëtarësim të përshpejtuar në NATO të Ukrainës”, tha Zelensky.
Zelensky pas takimit urgjent me Këshillin e Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës, njoftoi se për shkak të përshkallëzimit të situatës deri në këto përmasa, mundësia për një marrëveshje me presidentin Putin nuk është më në tavolinë.
“Putin nuk e di se çfarë është dinjiteti dhe ndershmëria. Kjo është arsyeja pse ne jemi gati për dialog me Rusinë – por jo me presidentin që e drejton atë aktualisht”, tha presidenti ukrainas.
Shefi i NATO-s nga ana tjetër dënoi nënshkrimin e traktateve duke e quajtur atë grabitje toke nga Rusia, por për kërkesën për anëtarësim dha këtë përgjigje
Stoltenberg: Një vendim për anëtarësimin, natyrisht, duhet të merret nga të 30 aleatët dhe ne i marrim këto vendime me konsensus. Fokusi ynë tani është në ofrimin e mbështetjes së menjëhershme për Ukrainën, për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet kundër pushtimit brutal rus. Dua të shtoj gjithashtu se retorika bërthamore e presidenti Putit është e rrezikshme. NATO është sigurisht vigjilente, ne monitorojmë nga afër se çfarë bën Rusia. Ajo duhet të kuptojë se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet kurrë dhe nuk duhet të bëhet kurrë dhe do të ketë pasoja të rënda për Rusinë nëse përdor armë bërthamore , ky është një mesazh i qartë që ne ja kemi përcjellë Rusisë.
Presidenti rus nënshkroi këtë të premte traktatet që shënojnë fillimin e procesit për aneksimin nga Rusia të disa pjesëve të Ukrainës, si Zaporiazhia, Donetsk, Luhansk, Kherson në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.
Veprimi përfaqëson një përshkallëzim të fortë të konfliktit në Ukrainë, dhe i jep te drejtë Putinit, siç ai ka thënë, të pretendojë së nëse Ukraina do të tentojë ti marrë këto territore mbrapsht atëherë ky do të ishte një sulm ndaj vetë Rusisë, duke rritur kështu rrezikun e përdorimit të armëve më të rënda deri te ato bërthamore.
“Populli e bëri zgjedhjen e tij, ishte një zgjedhje e pastër”, tha në fjalimin pompoz drejtuar kombit, Vladimir Putin në një sallë të mbushur me zyrtarë.
Top Channel