Spanja do të vendosë një “taksë solidariteti” për personat që kanë një pasuri prej të paktën 3 milionë eurosh.
Njoftimin e bëri Ministrja e Buxhetit María Jesús Montero e partisë socialiste PSOE të kryeministrit Pedro Sanchez, e cila sqaroi se instrumentet e reja fiskale të qeverisë do të ndikojnë mbi pasurinë, tatimin mbi të ardhurat personale dhe taksën e korporatave.
“Kjo taksë e re do të jetë në fuqi nga viti 2023 deri në 2024-tën. Ajo do të prekë 23,000 tatimpagues ose 0.1% të popullsisë së Spanjës dhe ka potencialin të grumbullojë 1.5 miliardë euro”- u shpreh María Jesús Montero, Ministre spanjolle e buxhetit
Një masë e tillë vjen pasi partia opozitare e qendrës së djathtë Partido Popular (PP/EPP) bashkë me socialistët propozuan ulje të konsiderueshme të taksave në rajonet e tyre përkatëse me qëllim joshjen e votuesve përpara zgjedhjeve rajonale majin e vitit të ardhshëm, dhe atyre të përgjithshme të vitit pasardhës. Sipas qeverisë, është thelbësore që edhe më të pasurit të bëjnë pjesën e tyre për të ndihmuar në zbutjen e ndikimit negativ të inflacionit rekord. Taksa e re do të ketë tre fasha që përfshijnë një normë 1.7% për pasuritë 3 deri në 5 milionë euro, një normë 2.1% për 5-10 milionë euro dhe 3.5% për mbi 10 milionë euro.
Ekzekutivi spanjoll njoftoi sakaq dhe një rritje të taksimit të kapitalit me një pike përqindjeje, duke e cuar në 27%, dhe në 28% për fitimet e kapitalit mbi 200,000 euro, që do të thotë dy pikë shtesë në krahasim me normat aktuale të taksimit.
Së bashku me “taksën e solidaritetit” për të ardhurat e larta, Madridi zyrtar do të miratojë së shpejti edhe masat e reja që modifikojnë tatimin mbi të ardhurat personale për të favorizuar sa më shumë që të jetë e mundur të ardhurat e mesme dhe të ulëta. Parashikohet po kështu një ulje e taksës së korporatave në 23% për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që kanë një xhiro prej më pak se 1 milion euro.
Top Channel