Enti Rregullator i Energjisë nuk është më i pavarur, teksa vendimin për ndryshimin e çmimit e merr vetë kryeministri Edi Rama, sipas kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Pasi njoftoi vendosjen e fashës prej 800 kWh, ku çdo kilovat sipër kësaj fashe do të ishte 4.4 herë më shtrenjtë nga 1 tetori, kryeministri njoftoi sot shtyrjen e këtij vendimi, pas përmirësimit të situatës hidrike.
Ilir Meta, në një konferencë për shtyp këtë të premte, u shpreh se “vendimi u zhbë në një mënyrë të turpshme”.
“Ishte një vendim i zhbërë në mënyrat më të turpshme, nuk ka institucione të pavarura që mbrojnë interesin e qytetarëve, që bëjnë detyrën sipas ligjit.
Ajo që ka ndodhur është shumë e rëndë: Mosekzistenca e ERE-s si institucion i pavarur. Vendimi që ERE shpalli ishte tërësisht i pabazuar, bazohej vetëm te një vendim i asamblesë së KESH. Ky është konflikt interesi. Kemi tejkalim kompetencash të Këshillit Mbikëqyrës së KESH-it”.
Vendimin për shtyrjen e afatit për vendosjen e fashës duhet ta bënte ERE, thekson kryetari i PL-së.
“Tregon që kemi në krye të qeverisë një kryeministër provokativ, provokon qytetarin, taksapaguesin”.
Më herët, kryetari i Partisë së Lirisë kërkoi një seancë dëgjimore në Kuvend me Entin Rregullator të Energjisë, që tha se ka detyrimin të shpjegojë dhe arsyetojë vendosjen e fashës së energjisë, ku për çdo kilovat mbi 800 kWh, energjia do të kushtojë 4.4. herë më shumë.
Meta u shpreh se ERE është institucion në varësi të drejtpërdrejtë të Kuvendit të Shqipërisë dhe ka detyrimin ligjor, shton ai, “të shpjegojë publikisht arsyet financiare, teknike dhe institucionale të sistemit energjetik që kanë çuar në miratimin pa asnjë ndryshim të vendimit të qeverisë për rritjen e energjisë”.
Top Channel