Mosaktivizimi i Trent Alenxander-Arnold në dy ndeshjet e fundit të Anglisë nga ana e trajnerit Gareth Southgate (dhe aq më tepër përjashtimi nga lista e lojtarëve për ndeshjen me Gjermaninë) është kthyer në një temë mjaft të diskutuar për opinionin në ishull.
Sigurisht, pyetjeve nuk mund t’i shpëtonte edhe trajneri i anësorit te Liverpool, Jurgen Klopp. Gjermani u përgjigj në mënyrën e tij edhe pse shtoi se është më mirë të vetëpërmbahej pasi përndryshe do të kthehej në protagonist të faqeve të para në shtypin botëror.
“Doni me të vërtetë të diskutojmë për diçka të tillë? Jeni gazetarë anglezë dhe mendoj se është më mirë të mos e flasim një temë të tillë derisa të publikohet lista e lojtarëve të grumbulluar për Botërorin. Nëse unë do të shprehja mendimin tim të sinqertë në këtë moment, atëherë do të përfundoja në titujt kryesorë të mediave.
Kam shumë për të thënë, por nuk bën shumë sens të flas në këtë moment. Është e qartë se unë e shoh Trent në një mënyrë ndryshe prej pjesës tjetër, njerëzit thonë se ai nuk është një mbrojtës i mirë, por gabojnë. Ai është një mbrojtës i mirë, është e vërtetë se mund të gabojë në ndonjë rast, por është vetëm 23-vjeçar.
Ne po punojmë që Trent të përmirësohet, por një gjë ta keni të sigurt; unë do ta zgjidhja gjithnjë Trent pasi është i jashtëzakonshëm. Në pozicionin e mbrojtësit të djathtë, Anglia është e bekuar pasi ka shumë alternativa. Është një vendim që i takon Southgate, unë e shoh ndryshe por kjo nuk do të thotë se kam të drejtë. Por të jemi të qartë, Trent është lojtar i klasit botëror”, u shpreh Klopp./ Super Sport
Top Channel