Kosova vendosi që nga kjo e premte të vendosë regjimin e vizave për shtetasit rusë.

Në mbledhjen e qeverisë Kryeministri Albin Kurti ka thënë se shtetasit rusë me pasaporta të rregullta, zyrtare, diplomatike si dhe ata që kanë leje qëndrimi biometrik  të lëshuar nga shtetet e zonës Schengen do të detyrohen të pajisen me vizë të Kosovës për hyrje, transit dhe qëndrim në Republikën e Kosovës.

Zëvendësministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, ka thënë se një vendim i tillë kontribuon në vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Evropian.

 “Aprovimi i një vendimi të tillë do të kontribuonte në ruajtjen e sigurisë kombëtare, rajonale dhe globale, po ashtu në mbrojtjen e interesave shtetërore dhe pjesëmarrjen aktive të Republikës së Kosovës në aleancat ndërkombëtare”, tha ajo.

Vendimi për të mos dhënë më viza për rusë është pjesë e një sërë sanksionesh dhe hapash të ndërmarrë së fundmi nga Bashkimi Evropian ose vendet anëtare të tij që kur Moska filloi sulmin ndaj Ukrainës më 24 shkurt.

BE-ja ka ndaluar të gjitha fluturimet nga Rusia, duke lënë të disponueshme vetëm lidhjet e transportit hekurudhor dhe rrugor, dhe këtë muaj ajo ra dakord të kufizojë lëshimin e vizave të udhëtimit falas për zonën Shengen.

 

Top Channel