Kamera trupore shfaq oficerin që vret të dyshuarin nga 150 metra larg me armën e shërbimit në SHBA (video-foto)

30/09/2022 18:21

Në pamje të kamerave trupore të publikuara sot nga policia e Pierce County, Uashington, shihej një oficer policie që nxirrte automatikun e shërbimit dhe me një të shtënë eliminoi një të dyshuar të armatosur nga të paktën 150 metra larg.

I dyshuari 40-vjeçar Peter T. Collins, raportohej se po qëllonte ndaj policëve, çka solli dhe reagimin ekstrem të agjentëve, ndërsa arsyet e konfrontimit të rëndë ende nuk janë bërë të ditura.

Rrjeti Star Tribune raportonte se Collins kishte qëlluar 15 herë ndaj oficerëve në incidentin e 28 gushtit, pasi vetë nipi i tij kishte njoftuar numrin e emergjencës 911, duke i lajmëruar se kishte “dy apo tre armë” dhe mund të qëllojë ndaj oficerëve.


Tre oficerë iu përgjigjën thirrjes dhe Collins nisi të luftonte me ta.

Oficeri në fjalë Christopher Munn shihet që parkon makinën rreth 150 metra larg ngjarjes dhe merr shenjë duke qëlluar të dyshuarin në gjoks, që ishte dhe shkaku i vdekjes së tij.

Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur ngjarjen.

FOTO GALERI
1/3
Një oficer policie me një të shtënë eliminoi një të dyshuar të armatosur nga të paktën 150 metra larg.

Top Channel