7-vjeçari palestinez vdes teksa ndiqej nga ushtarët izraelitë në Bregun Perëndimor (fotot)

30/09/2022 17:58

Qindra palestinezë u mblodhën sot në Betlehem për funeralin e një djali 7-vjeçar që sipas raportimeve vdiq teksa ndiqej nga trupat izraelite në qytezën Taquo në jug të Betlehem, në territoret e pushtuara të Bregut Perëndimor.

Babai i të ndjerit Rayyan Suleiman tha se i biri po kthehej në shtëpi nga shkolla të enjten kur forcat izraelite nisën t’i ndiqnin.

“Atij i ndaloi zemra sepse ishte i tmerruar,” tha Yasser Suleiman për mediat palestineze, duke insistuar se i biri nuk kishte sëmundje të tjera ekzistuese.

Ministria palestineze e shëndetësise në Bregun Perëndimor tha në një deklaratë se i mituri vdiq pas “rënies nga një lartësi” gjatë ndjekjes.

Por stafi mjekësor i spitalit Beit Jala , ku Suleiman u dërgua, tha se atij i kishte pushuar zemra teksa i largohej me vrap ushtarëve.

Në një deklaratë për CBS News forcat izraelite thonin: “Një numër palestinezësh lëshuan gurë drejt civilëve në fshatin ngjitur, çka bëri që ushtarët të kërkonin të dyshuarit, që u larguan drejt fshatit. Gjatë kërkimit nuk pati përdorim armësh apo mjetesh të shpërndarjes së protestave”.

Mediat izraelite thonin se ushtria kishte marrë në pyetje disa prindër, përfshi dhe babanë e  Suleiman për përfshirjen e mundshme të fëmijëve në lëshimin e gurëve.

Delegacioni i BE në territoret palestineze tha se ishte “i shokuar nga vdekja tragjike e 7 vjeçarit Rayyan Suleiman,” dhe “bënte thirrje për hetime”.

Përfaqësuesja e BE për të drejtat e njeriut Eamon Gilmore e quante “tronditëse që një aktivitet rutinë për fëmijët të bëhet vrasës për ta.”

Incidenti vjen në kohë përplasjesh të ashpra dhe të palestinezë të vdekur thuajse çdo ditë në Bregun Perëndimor pas disa aksionesh nga ushtria.

Grupi militant palestinez Hamas denonconte ato që quante krimet e ushtrisë izraelite kundër fëmijëve palestinezë duke bërë thirrje që shteti të vendoset në listën e turpit.

“Përshkallëzimi i terrorizmit të pushtuesit ndaj fëmijëve të Palestinës është një krim që kërkon veprim ndërkombëtar”, thuhej në deklaratën e tyre.

Burime mjekësore palestineze thanë se 36 palestinezë të mitur janë vrarë vetëm këtë vit nga ushtria izraelite.

FOTO GALERI
2/3
Incidenti vjen në kohë përplasjesh të ashpra dhe të palestinezë të vdekur thuajse çdo ditë në Bregun Perëndimor

Top Channel