Me një ceremoni publike, Vladimir Putin shpall nesër aneksimin zyrtar të katër rajoneve ukrainase: Luhanskut e Donjeckut në lindje, e Zapozhias dhe Khersonit në jug.

Referendumet pesë ditore, sipas zyrtarëve rusë, kanë siguruar mbështetjen thuajse totale të popullatës atje për bashkimin me Rusinë. Në sheshin e kuq të Moskës, podium po bëhet gati për fjalimin kyc që Putin planifikon të mbajë me këtë rast.

Madje billboardet e vendosura atje që tani i përshkruajnë katër rajonet në fjalë si pjesë të Rusisë; e gjithë kjo është një reminishencë e aneksimit të Krimesë në 2014-tën, që pasoi edhe atje një referendum të sajuar, e një fjalim triumfues të presidentit rus.

Perëndimi i sheh si farsë referendumet e Moskës, për të cilat nuk ka pasur asnjë monitorim të pavarur, ndërsa plot dëshmitarë thonë se zyrtarët lokalë zgjedhore kanë shkuar derë më derë të shoqëruar nga ushtarë të armatosur. Shtetet e Bashkuara po përgatiten t`i vendosin Moskës sanksione të ashpra për këto votime, rezultatet e të cilave pretendohet se kanë qenë të paracaktuara, ndërsa vendet e BE-së po diskutojnë një raund të tetë masash.

Joseph Borell: Masa të rrepta shtesë do të merren sa më shpejt që të jetë e mundur, në koordinim me partnerët tanë. BE-ja edhe një herë i dënon me forcë planet e paligjshme për aneksimin e këtyre rajoneve, që janë pjesë e Ukrainës.

Që përpara fillimit të votimeve, Putini qe shprehur se këto territore do të jenë nën mbrojtjen e Rusisë si fuqi bërthamore. Më herët, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg pas një bisede me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenksyj shkroi në Twitter se: “Pseudoreferendumet e mbajtura nga Rusia nuk kanë legjitimitet dhe përbëjnë një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare. Stoltenberg e bëri sërish të qartë, se aleatët e NATO-s mbështesin pa kufizim sovranitetin e Ukrainës dhe të drejtën e saj për vetëmbrojtje.

“Nën kërcënime dhe ndonjëherë edhe nën tytën e armëve njerëzit janë nxjerrë nga shtëpitë ose vendet e tyre të punës për të votuar në kuti votimi prej xhami,” tha dhe ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock. “Kjo është e kundërta e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Është e kundërta e paqes. Është paqe e diktuar. Për sa kohë që ky diktat rus mbizotëron në territoret e pushtuara të Ukrainës, asnjë qytetar nuk është i sigurt, asnjë qytetar nuk është i lirë”, u shpreh ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA