Shqipëria nga sateliti…/ “Albania 1” dhe “Albania 2” do hidhen në hapësirë nga SpaceX e Elon Musk

29/09/2022 10:42

Java e parë e dhjetorit pritet ta gjejë kryeministrin Edi Rama dhe themeluesin e SpaxeX Elon Mask, përpara butonit për t’i dhënë start nisjes në hapësirë të dy satelitëve “Albania 1” dhe “Albania 2”. 

Këta dy satelitë do të nisen nga kompleksi  Cape Canaveral në Florida.

Vlera kontratës të nënshkruar me kompaninë “Satellogic US”  kap vlerën e  6 milionë dollarë.

Niko Peleshi: Kjo kontratë konsiston në përdorimin  ekskluziv të dy satelitëve, për një periudhë tre vjeçare, për monitorimin e territorit të Republikës së Shqipërisë, zhvillimin e kapaciteteve teknike e profesionale të Republikës së Shqipërisë për përdorimin e shërbimit satelitor, përpunimin e Informacionit Gjeohapësinor (GIS), si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë dhe komponentëve të tjerë të saj”.

Nevojën e këtyre dy satelitëve kryeministri Edi Rama e shikon të lidhur me situatën e dështimit të përpjekjeve për të eliminuar ndërtimet pa leje.

Edi Rama: Është rezultat pikërisht i mosfunksionimit si duhet të një zinxhiri kontrolli që hallkën e vet kryesore ka drejtësinë dhe që funksionon me të dobëtit, por nuk funksionon me të fortët. Nga ana tjetër, më thoni një rast të një biznesi të madh, të një ndërtuesi të madh, të një abuzuesi të madh që ka përfunduar përpara gjykatës me një akuzë të ngritur nga prokurorët, më thoni një!

Kryeministri çoi  këtë mesazh për skeptikëve dhe ata që sipas tij e kanë  përqeshur nismën e dy satelitëve me flamur shqiptarë.

Edi Rama: Ne do të kemi një kryeinspektoriat në qiell i cili nuk ka emër të përveçëm, i cili nuk ka kushërinj, i cili nuk ka parti dhe i cili ka një sy që i sheh të gjitha dhe një detaj që ministri në gjithë renditjen e gjatë të gjërave që do të bëjë ky kryeinspektoriat, nuk e solli në vëmendje është që me satelitët nuk do të ketë më mundësi të ndërtohen kate pa leje pa u vënë re në momentin kur sapo nisin, sepse satelitët kanë kapacitetin të shohin çdo volum të ngritur mbi sipërfaqen e tokës me një saktësi që mblidhet në një perimetër prej 70 centimetrash.

Mbrojtjes shqiptare do ti shtohet edhe një element tjetër.

Edi Rama: Shumë shpejt satelitët do të pasohen nga dronët të cilët me zhvillimet e reja ne kemi vendosur t’i kompletojmë dhe t’i marrim dronë të armatosur, natyrisht dronët e armatosur janë për rast ekstrem kundër terrorizmit apo një armiku potencial.

Ndërkohë deputetja demokrate Jorida Tabaku tha se “Çudi si na duhen satelitë 150 kilomentra mbi tokë për të parë diçka që dallohet lehtësisht mes Tiranës”. Justifikim cinik për tenderin me vlerë 5.7 milion euro në këtë kohë kur i kërkon Shqipërisë sakrifica dhe vetë shpërdoron taksat e tyre” theksoi deputetja e opozitës.

Top Channel